Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin Minuta e parë komentoi reformën zgjedhore.

Lubonja tha se Rama ka punuar gjithmonë me kalkulime të pastra elektorale dhe se çdo gjë e ka bërë në favor të Partisë Socialiste.

Sipas tij, me një bandë kriminale në pushtet siç është PS e Ramës sot, nuk ka zgjedhje të lira. Më tej, tregoi sesi mund të bashkohet opozita.

Fatos Lubonja: Ajo që ka bërë Rama është që ka zhdukur edhe rotacionin.

Kanë qenë tre parti politike, që krijohej një rotacion. Por sot kemi një bandë të vetme dhe pushteti absolut që kërkon të ngrejë Rama, korrupton në mënyrë absolute. Që kur hoqi koalicionet, u duk qartë se po krijonte sistem elektoral për të mos lejuar rotacionin. Edhe Administrativja synon diçka të tillë. Mendoj që me Ramën nuk shkohet në zgjedhje me këto kushte. Edi Rama ka mazhorancën nga deformimi i sistemit zgjedhor.

Duhen ndryshime shumë më rrënjësore, sesa listat e hapura apo të mbyllura. Me Ramën nuk bëhen zgjedhje të lira dhe ky është thelbi i gjësë. Me një bandë kriminale në pushtet, nuk bëhen dot zgjedhje. I njohim dhe me emra, ata Bajrat, që punojnë për PS-në. Nëse nuk ka ndryshime rrënjësore, vështirë të ketë zgjedhje të lira. Opozita ka pasur presion nga ndërkombëtarët. Siç duket, hap pas hapi, po shkohet drejt një shteti policor. Edhe lufta mes vetë pjesëve të opozitës e ndihmon Ramën drejt instalimit të diktaturës së tij.

Opozita duhet të gjejë një figurë të përbashkët për të rivalizuar Edi Ramën. Unë do preferoja një proces, ku të gjithë pjesët të arrijnë një kompromis, që të bëhen bashkë për nevojën e një kandidati, pastaj mund të jetë një listë kandidatësh, që diskutohen dhe edhe votohen ndoshta e del kandidati me votë e jo “hajde merremi vesh për këtë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb