Kur dritat e studiove politike ndizen dhe sheshet mbushen nga zhurma e protestave, vëmendja e një kombi zhvendoset te pushteti.
Por natën e 14 tetorit, teksa kryeqyteti ishte i përfshirë nga zhvillimet e radhës, në një cep të harruar të Shkozës, heshtja e natës u shndërrua në një ferr të gjallë. Agim dhe Ismete Ziu, 68 dhe 65 vjeç, ranë në gjumë në shtëpinë e tyre, pa e ditur se po hynin në kurthin e një krimi makabër. Ata nuk u vranë thjesht nga flakët që ish-dhëndri u vuri banesës së tyre me vetëdije të plotë; ata u vranë nga harresa. Jetët e tyre “u gëlltitën” nga zjarri i xhelozisë dhe i dhunës verbër, por humbja e tyre u la në hije, e mbytur nga zhurma e madhe politike që dominonte ekranet.
Kjo tragjedi nuk është një rast i izoluar. Është pjesë e një plage të hapur që po gjakos mbarë shoqërinë tonë. Nga Tirana në Prishtinë, një valë e frikshme krimesh monstruoze po merr jetë njerëzish. Gra që ekzekutohen në pragun e shtëpisë, burra që vriten për motive banale, e deri te foshnja të pafajshme që paguajnë çmimin e çmendurisë së prindërve. Kosova dhe Shqipëria po numërojnë arkivole të prodhuara nga dhuna në familje, ndërsa vëmendja publike shpesh e ka epiqendrën diku tjetër.
Për autorin e këtij akti çnjerëzor në Shkozë, drejtësia nuk mund të ketë asnjë rrethanë lehtësuese. Çdo gjë më pak se dënimi maksimal i merituar do të ishte një tjetër vrasje për dy të moshuarit që u dogjën të gjallë në shtratin e tyre. Ditën e sotme në studion e emisionit Me Zemër të Hapur në Neës24 të moderatores Evis Ahmeti, flet dëshmitari në ngjarje, nipi i dy viktimave. Ndiqni emisionin.
Nipi i viktimave: Kur mori flakë banesa, unë tentova që të dal nga dhoma.
Isha vetëm. Kur e hapa derën, më erdhi zjarri në fytyrë, desh u mbyta dhe ika direkt tek dritarja, që të marr ajër. Më pas erdhën gjyshi dhe gjyshja. Gjyshi qëndroi me mua, edhe gjyshja, qëndroi pak dhe tha se do iki të qëndroj tek goca. Iku e pa, erdhi prapë tek dhoma ime. Qëndruam të tre dorë për dore.
Pastaj gjyshja ra në tokë. Tha gjyshi që “iku nona, na la”. Unë isha në ballkon, tek pjesa e kondicionerit. Tek ballkoni ishte zjarr, unë dhe mami qëndruam nëpër bordura. Gjyshi edhe ai më tej po jepte shpirt, e kishte frymëmarrjen tepër të sikletshme, mezi merrte frymë. Ky moment dramatik ka zgjatur gati një orë.
U vonua zjarrfikësja. Tentova që të iki, por shokët më thanë që mos u hidh se erdhi zjarrfikësja e ashtu kam duruar. Nuk më kujtohet sesi i kam marrë plagët, por ndjeja se po digjesha. Ka momente që nuk më kujtohen.
