Gazetari Elton Tozaj është dhunuar sërish, më pak se një vit pas sulmit barbar që pësoi në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ku u gjet pa ndjenja në anë të rrugës. Këtë herë, ai është sulmuar nga disa persona, të cilët, sipas dëshmisë së tij, kanë zbritur nga një furgon, e kanë goditur me levë pas koke dhe më pas kanë tentuar ta fusin me forcë në automjet.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, me moderatore dhe autore Evis Ahmetin, Tozaj ka rrëfyer nga ambientet e spitalit momentet e sulmit, duke deklaruar se autorët i kanë ardhur nga pas dhe se nuk ka mundur t’i identifikojë. Ai ka treguar se është goditur edhe në fytyrë, ndërsa ka pësuar hematoma dhe dëmtime në të njëjtin sy, për të cilin kishte pasur probleme edhe pas dhunës së vitit të kaluar.

Sipas gazetarit, sulmi ka ndodhur rreth orës 17:05, ndërsa ai ishte duke u drejtuar për të publikuar një material ekskluziv. Disa gra që ndodheshin pranë kanë bërtitur, duke tërhequr vëmendjen e banorëve, çka dyshohet se ka bërë që autorët të largoheshin me shpejtësi. Ishin pikërisht banorët ata që njoftuan Policinë, e cila e transportoi Tozajn drejt spitalit.

“Kanë zbritur disa persona nga një furgon. Më kanë goditur me levë pas koke dhe më pas kanë vazhduar të më godasin. Kanë tentuar të më tërheqin për në furgon. Kanë qenë disa gra që kanë ulëritur me të madhe dhe kanë ardhur edhe banorë. Me sa duket janë trembur, sepse kanë qenë pa maska, dhe janë larguar me vrap”, rrëfeu Tozaj.

Gazetari pretendon se sulmi lidhet me denoncimet e tij të fundit dhe materialet investigative që ka publikuar për persona të njohur të politikës, biznesit dhe showbizit. Ai tha se gjatë sulmit autorët i kanë bërë kërcënime të drejtpërdrejta, duke i thënë se nuk do të kishte më mundësi të fliste.

“Më është thënë vetëm që nuk ke për ta pasur mundësinë për të folur më. Pastaj më kanë sharë dhe më kanë thënë: do të vrasim, do të vdesësh”, deklaroi gazetari.

Tozaj tregoi se pikërisht ditën e sotme kishte planifikuar të publikonte një emision investigativ, ku do të transmetohej edhe dëshmia e një personi të penduar, i cili, sipas tij, do të rrëfente detaje mbi një ngjarje të mëparshme. Për shkak të sulmit dhe gjendjes së tij shëndetësore, transmetimi është shtyrë për më 10 nëntor.

Ai përmendi disa prej personave që, sipas tij, mund të kenë arsye për ta sulmuar, duke iu referuar denoncimeve ndaj gjashtë kryetarëve bashkish, një ish-kandidati për deputet të Vetëvendosjes, si dhe personave me ndikim në botën e biznesit dhe artit. Megjithatë, theksoi se nuk mund të drejtojë gishtin ndaj një personi të vetëm.

“Unë mendoj se janë disa. Nuk mund ta vë gishtin vetëm tek një. Armiqtë e mi janë të paktë në radhët e shqiptarëve, por të shumtë në radhët e atyre që kanë pushtet”, u shpreh ai.

Gazetari u ndal edhe te sulmi i vitit të kaluar, për të cilin tha se ende nuk ka marrë përgjigje nga organet e drejtësisë dhe se autorët nuk janë dënuar. Ai pretendoi se atëherë ishte tentuar eliminimi i tij fizik dhe shkatërrimi i banesës, ndërsa shprehu shqetësimin se edhe këtë herë mund të jetë përballur me një përpjekje për ta eliminuar.

Aktualisht, Tozaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e Policisë, ndërsa hetimet për sulmin e fundit pritet të zbardhin identitetin e autorëve dhe motivet e ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb