Kompania konfirmon se problemi nuk lidhej me një sulm kibernetik apo inteligjencën artificiale. Pas ndërhyrjes teknike, shërbimet kanë nisur rikuperimin gradual në disa rajone.

Microsoft ka zbardhur shkakun e ndërprerjes globale që preku shërbimet e saj, duke e cilësuar incidentin si një problem teknik të shkaktuar nga një gabim në infrastrukturën e rrjetit.

Në një mesazh drejtuar klientëve të prekur, ekipi drejtues i kompanisë kërkoi ndjesë për shqetësimet dhe falënderoi përdoruesit për durimin, ndërsa konfirmoi se tashmë po vërehet një rikuperim i gjerë i shërbimeve.

Sipas shpjegimit të Microsoft, problemi nisi nga një përditësim i portave të rrjetit, i realizuar disa muaj më parë me qëllim rritjen e kapacitetit.

“Ky përmirësim paraqiti një gabim”, thuhet në mesazhin e kompanisë.

Microsoft shpjegon se defekti nuk kishte shkaktuar probleme të njohura gjatë muajve të fundit, por një ndryshim i kryer së fundmi në rrjet aktivizoi gabimin, duke shkaktuar dështime dhe rritur ngarkesën në sistem.

Kjo situatë solli një efekt zinxhir, duke përhapur ndërprerjen në shërbime të tjera të infrastrukturës.

Kompania theksoi se incidenti nuk ishte rezultat i një sulmi kibernetik dhe as i veprimtarisë së agjentëve të inteligjencës artificiale.

Microsoft bëri të ditur se gabimi themelor është identifikuar dhe është korrigjuar. Megjithatë, për shkak të volumit të madh të proceseve të mbetura në radhë gjatë ndërprerjes, rikthimi i plotë i klientëve dhe rajoneve po kryhet në mënyrë graduale.

“Gabimi themelor është adresuar dhe, për shkak të një vëllimi të madh pune në radhë, po i rikthejmë gradualisht klientët dhe rajonet në punë”, thuhet në deklaratë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: