Rusia po zgjeron bashkëpunimin ekonomik me Afganistanin e drejtuar nga talebanët. Zëvendëskryeministri rus, Alexei Overchuk, ka mbërritur të enjten në Kabul në krye të një delegacioni prej 70 përfaqësuesish të biznesit rus, me synimin për të diskutuar marrëveshje në sektorët e transportit, logjistikës, bujqësisë dhe produkteve farmaceutike.
Gjatë vizitës, Overchuk u prit me një ceremoni zyrtare nga autoritetet afgane dhe zhvilloi takime me kryeministrin taleban, Mohammad Hassan Akhund, zëvendëskryeministrin për Çështjet Ekonomike, Abdul Ghani Baradar, si dhe ministrin e Jashtëm, Amir Khan Muttaqi.
Sipas një deklarate të qeverisë afgane të publikuar në rrjetin social X, Baradar u prezantoi përfaqësuesve rusë potencialin ekonomik të vendit, duke vënë në dukje pozicionin strategjik, burimet e shumta natyrore dhe fuqinë punëtore prej rreth 24 milionë personash.
Ai u bëri thirrje kompanive ruse të investojnë në bujqësi, miniera, ndërtimin e rrugëve, hekurudhave dhe fabrikave, si dhe propozoi krijimin e një zone të posaçme ekonomike në Afganistan. Gjithashtu, Baradar kërkoi zgjerimin e eksporteve të produkteve bujqësore afgane drejt tregut rus dhe lehtësimin e procedurave të transportit e tranzitit.
Nga ana e tij, Overchuk deklaroi se delegacioni përfaqësonte kompani që tashmë operojnë në Afganistan, por edhe biznese të tjera që synojnë të hyjnë në këtë treg. Ai theksoi se palët kanë interes për bashkëpunim edhe në fushën e plehrave kimike, përfshirë ndërtimin e impianteve të prodhimit të tyre në territorin afgan.
Sipas shifrave të bëra publike nga zëvendëskryeministri rus, tregtia mes dy vendeve gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 është më shumë se dyfishuar, duke arritur në mbi 349 milionë dollarë.
Rusia njohu zyrtarisht qeverinë talebane në korrik të vitit 2025, duke u bërë shteti i parë dhe deri më tani i vetëm që ka ndërmarrë një hap të tillë që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në gusht të vitit 2021, pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Megjithëse asnjë shtet tjetër nuk e ka njohur zyrtarisht regjimin e ri, autoritetet talebane kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me disa vende dhe kanë krijuar marrëdhënie diplomatike e ekonomike me një numër qeverish.
