Një situatë e pazakontë ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku autoritetet e aviacionit kanë urdhëruar pezullimin e fluturimeve në të gjithë vendin për shkak të një problemi në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror.

Vendimi është marrë nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA), e cila ka njoftuar se ndalimi i fluturimeve është vendosur për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme dhe për arsye sigurie”.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, bëri të ditur se problemi ka prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror në të gjithë vendin, duke detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e fluturimeve.

Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, ka dalë në një deklaratë për mediat nga Shtëpia e Bardhë, ku ka theksuar se deri më tani nuk ka asnjë indicie se bëhet fjalë për një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ky është një ndërprerje e telekomunikacionit”, deklaroi Mullin, duke shtuar se të gjitha fluturimet janë të identifikuara dhe se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar për një sulm.

“Gjithçka është e sigurt. Kjo nuk është një tjetër 11 Shtator”, u shpreh ai, duke iu referuar sulmeve terroriste të vitit 2001, kur u ndërpre për herë të fundit në shkallë kombëtare trafiku ajror amerikan.

Sipas autoriteteve, përparësi në këto momente është rikthimi i komunikimit dhe sigurimi që të gjitha avionët të jenë në pozicione të sigurta.

Sekretari Mullin hodhi poshtë gjithashtu çdo lidhje të mundshme mes problemit të sotëm dhe ndërprerjes së shërbimeve të Microsoft, duke theksuar se deri tani nuk ka arsye për t’i lidhur dy ngjarjet.

Situata ka prekur disa prej aeroporteve më të mëdha në SHBA. Aeroportet e Atlantës, Reagan në Uashington, Miami, Baltimore dhe George Bush Intercontinental në Hjuston kanë konfirmuar pezullimin e fluturimeve.

Ndërkohë, vonesa dhe ndalesa të mundshme janë paralajmëruar edhe në aeroportet e Los Anxhelosit, Las Vegasit, JFK në Nju Jork dhe Filadelfias.

Pasagjerët kanë raportuar vështirësi edhe pas uljes së avionëve. Në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, disa udhëtarë kanë mbetur brenda avionëve në pistë, pasi nuk u është lejuar lëvizja drejt portave të imbarkimit. Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Austin, ku pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë në avion deri në një njoftim të ri.

Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, rreth 3,100 avionë ndodheshin në ajër dhe po udhëtonin drejt aeroporteve amerikane në momentin e raportimit. Ndërkohë, asnjë avion i ri nuk po ngrihej nga aeroportet, ndërsa fluturimet ndërkombëtare që mbërrinin në SHBA do të trajtoheshin rast pas rasti.

Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë një afat se kur do të rikthehet normaliteti në trafikun ajror. Sekretari i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se rikthimi i plotë i komunikimit mund të kërkojë kohë, ndërsa ekipet teknike të FAA-së vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ndërprerjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb