Një ish-komandant i forcave speciale britanike ka ngritur alarmin për rrezikun që inteligjenca artificiale mund të përdoret nga shtete armiqësore apo organizata terroriste për të identifikuar dëshmitarët që po japin dëshmi në hetimin për operacionet ushtarake britanike në Afganistan.

Ed Butler, ish-komandant i njësisë elitare 22 SAS dhe president i Shoqatës së Regjimentit SAS, paralajmëroi se masat aktuale për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve mund të mos jenë më të mjaftueshme. Sipas tij, kombinimi i inteligjencës artificiale me informacionet e publikuara në internet mund të ndihmojë në krijimin e një profili të plotë të personave, edhe kur emrat e tyre mbahen të fshehtë.

Në një letër drejtuar anëtarëve të shoqatës, Butler shprehu shqetësimin se aktorë armiqësorë mund të shfrytëzojnë informacionet e bëra publike gjatë hetimit, duke rrezikuar jo vetëm ushtarakët, por edhe familjarët e tyre.

Ai sugjeroi që ushtarët që ndihen të kërcënuar për sigurinë personale të mos japin dëshmi dhe të përdorin të drejtën për të heshtur. Butler theksoi se kjo nuk duhet interpretuar si një përpjekje kolektive për të fshehur të vërtetën, por si e drejtë individuale për të mbrojtur veten nga kërcënimet.

Hetimi i pavarur, i nisur në vitin 2022, po shqyrton akuzat për vrasje të paligjshme të civilëve afganë gjatë operacioneve të forcave speciale britanike në provincën Helmand, në periudhën nga mesi i vitit 2010 deri në mesin e vitit 2013. Në fokus janë gjithashtu dyshimet për mbulim të ngjarjeve dhe mënyrën se si janë hetuar më pas këto pretendime.

Paralajmërimi i Butler vjen në një kohë kur hetimi ka publikuar fotografi tronditëse, të cilat paraqesin persona të shtrirë në shtretër, me gjak përreth kokës. Sipas materialeve të paraqitura, pamjet mund të jenë në përputhje me pretendimet se persona të paarmatosur dhe në gjumë janë qëlluar.

Procesi është zvarritur për shkak të vonesave në dorëzimin e dokumenteve nga Ministria britanike e Mbrojtjes dhe pritet të zgjasë të paktën edhe 18 muaj. Sipas Butler, kjo situatë po krijon pasiguri të vazhdueshme dhe po ndikon negativisht në moralin e efektivëve dhe në mënyrën se si ata marrin vendime.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka deklaruar se janë vendosur masa të rrepta për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë seanca të mbyllura, identitete të koduara, dëshmi anonime dhe kontroll të rreptë të informacionit. Ministria paralajmëroi gjithashtu se kushdo që shkel këto masa mund të përballet me pasoja ligjore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb