Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzuat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me bisedat që ky i fundit pretendon se ka zhvilluar me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu në ambientet e burgut të Fierit, përmes të cilave është kërcënuar në emër të kreut të qeverisë.
Edhe pse Rama nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për akuzat e Veliajt, burime bëjnë me dije se ai ka folur për këtë çështje gjatë komunikimit me anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste. Sipas burimeve të gazetarit Ergys Gjençaj, kryeministri i ka cilësuar si të pavërteta bisedat e pretenduara mes Veliajt dhe Gogut, duke mohuar kështu versionin e bërë publik nga kryebashkiaku.
“Nuk janë të vërteta bisedat e Veliajt me Gogun”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura. Kujtojmë se Veliaj pretendon se ka marrë kërcënime në emër të Ramës, që të jepte dorëheqjen, ose do të kalbej 100 vite në burg.
