Një 40-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike për jetën në Maltë, pasi gëlltiti një substancë që dyshohet të jetë drogë, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit gjatë një kontrolli rutinë policor. Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 11:00, në zonën e Gjirit të Shën Palit, në rrugën Triq il-Halel.
Sipas policisë, efektivët ndaluan automjetin pasi vunë re se drejtuesi dhe pasagjeri nuk kishin vendosur rripat e sigurimit. Gjatë kontrollit, pasagjeri, 40 vjeç, u konstatua me një dorezë gishti dhe një sasi të një substance të dyshuar si lëndë narkotike.
Kur policët tentuan ta arrestonin, ai bëri rezistencë dhe u përpoq të largohej, ndërsa gjatë tentativës gëlltiti substancën e dyshuar si drogë. Menjëherë pas kësaj, 40-vjeçari u transportua në Spitalin Mater Dei, ku mjekët e cilësuan në rrezik për jetën.
Edhe drejtuesi i automjetit, një shqiptar 42-vjeçar, tentoi të largohej nga vendngjarja, por u kap pak më vonë dhe u shoqërua në polici, ku vijon të mbahet në paraburgim.
Gjatë ndërhyrjes, një rreshtere policie pësoi lëndime të lehta dhe mori ndihmë mjekësore në një qendër shëndetësore. Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu një sasi e konsiderueshme e një substance të dyshuar si kokainë dhe dy thika. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
