Gazetari Poli Hoxha komentoi në emisionin “Prime News24” deklaratën e raportuar të Pandeli Majkos në Asamblenë e Partisë Socialiste për ekzistencën e rreth 1000 orëve filmime, ku eksponentë të PS-së dyshohet se shfaqen në situata korruptive dhe erotike.
Hoxha pretendoi se bëhet fjalë për dhjetëra skedarë që lidhen me Ergys Agasin dhe se një pjesë e materialeve dyshohet se kanë përfunduar në duart e shërbimeve të huaja, përpara se të shkonin edhe te SPAK.
“Janë dhjetëra skedarë të Ergys Agasit që janë kapur. Para se t’i kapte SPAK-u, këto video janë çuar, nuk e di saktësisht nga kush, te një shërbim i huaj rajonal, besoj, i cili më pas ua ka kaluar edhe partnerëve, në bashkëpunim me amerikanët. As SPAK-u nuk i shpëton dot. Ato janë”, u shpreh gazetari.
Sipas Hoxhës, paralajmërimi i Majkos nuk lidhej me hetimet e SPAK-ut, por me mundësinë e publikimit të materialeve komprometuese, duke bërë një paralelizëm me skandalin e përgjimeve dhe publikimeve që goditën ish-kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.
“Majko ka paralajmëruar si politikan me lidhje ndërkombëtare, që ka shumë informacion. Ai nuk ka paralajmëruar për një histori të SPAK-ut, por për histori të bombave të Zaevit. Këto dihet që i bëjnë shërbimet partnere kur shikojnë një klasë politike që nuk lëviz as nga SPAK-u dhe as nga presioni popullor: fillon edhe diskreditimi”, deklaroi Hoxha.
Gazetari shtoi se, sipas interpretimit të tij, edhe kryeministri Edi Rama e ka pranuar ekzistencën e materialeve, duke iu referuar një deklarate të tij për rikthimin e historisë së fotografive nudo të publikuara vite më parë.
Në përfundim, Hoxha theksoi se rëndësia kryesore e këtyre materialeve, sipas tij, qëndron te përmbajtja e dyshuar korruptive dhe jo te ajo erotike.
“Videot janë korruptive në radhë të parë, mos t’u japim rëndësi videove erotike”, u shpreh ai.
