Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë një samiti për luftën kundër kancerit, ku dy aktivistë kanë hedhur hi mbi Komisionerin Evropian për Shëndetësinë, Oliver Várhelyi, në shenjë proteste ndaj projektligjit të ri të BE-së për përdorimin e pesticideve. Sipas raportimit të Politico, Várhelyi po përgatitej të mbante një fjalim mbi politikat evropiane për parandalimin dhe luftimin e kancerit, kur dy aktivistë të organizatës franceze “Cancer Colère” ndërhynë në skenë dhe i hodhën hi.
“Unë jam një pacient me kancer që protestoj kundër ligjit për fshesat”, deklaroi njëri prej protestuesve, ndërsa aktivisti tjetër iu drejtua komisionerit me fjalët: “Këto janë hiri i njerëzve që do t’i vrisni me pesticide”. Komisioneri evropian u shfaq dukshëm i befasuar nga veprimi i aktivistëve, shkundi hirin nga rrobat dhe vijoi fjalimin e tij. “Çfarë lloj njerëzish jeni ju? Siç thashë, mirëmëngjes. Jam pak i befasuar që në emër të viktimave të kancerit guxojnë të shpërndajnë hirin e atyre që kanë vdekur”, u shpreh Várhelyi.
Ashes thrown on EU Health Commissioner Olivér Várhelyi during the European Cancer Summit event in Brussels.
The protesters were taken away and arrested.
Video Source: Cancer Colère https://t.co/X6XbSUQ6l2
— Jack Parrock (@jackeparrock) November 19, 2026
Ndërkohë, drejtuesja e Agjencisë Evropiane të Kancerit, Elisabetta Zanon, reagoi për incidentin duke iu drejtuar të pranishmëve: “Kjo është përtej çdo imagjinate. Na vjen keq”. Në qendër të protestës është një propozim i Komisionit Evropian që parashikon ndryshime në rregullat për autorizimin dhe përdorimin e pesticideve në Bashkimin Evropian. Komisioni argumenton se ndryshimet synojnë të lehtësojnë procedurat për fermerët, ndërsa organizatat mjedisore dhe grupet që mbrojnë shëndetin publik paralajmërojnë për rreziqet e mundshme që mund të sjellin këto masa.
Mbi 2 mijë shkencëtarë kanë nënshkruar një letër ku kërkojnë pezullimin e propozimit deri në kryerjen e një vlerësimi të pavarur të ndikimit të tij. Edhe organizata e konsumatorëve Foodwatch e ka çuar çështjen te Avokati i Popullit Evropian, duke ngritur pretendime për keqadministrim nga ana e Komisionit Evropian. Protestat kundër projektligjit pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim. Më shumë se 300 organizata joqeveritare nga 25 vende evropiane, mes tyre shoqata mjedisore, organizata të bletarëve, grupe të viktimave të pesticideve, mjekë dhe shkencëtarë, kanë paralajmëruar një protestë më 24 nëntor, në orën 14:00, përpara Parlamentit Evropian në Strasburg.
