Një grabitje e pazakontë banke është regjistruar në Dallas të Teksasit, ku autorët kanë përdorur një kamion me pirun ngritës për të shkëputur bankomatin nga godina e bankës dhe për ta marrë me vete.

Ngjarja është filmuar nga një banore e zonës, e cila tregoi për FOX 4 se ishte zgjuar nga zhurmat e pazakonta që vinin nga jashtë. Pasi kuptoi se po kryhej një grabitje, ajo njoftoi menjëherë policinë.

Në pamjet e publikuara shihet kamioni ngritës duke mbajtur bankomatin dhe duke u larguar ngadalë nga ambientet e bankës.

Sipas Departamentit të Policisë së Dallasit, efektivët morën një telefonatë për vjedhje me thyerje pak para orës 03:30 të mëngjesit, në Walnut Hill Lane, pranë Spitalit Presbyterian.

Bëhet fjalë për një degë të Bank of Texas. Disa orë pas grabitjes, automjeti dhe bankomati u gjetën të braktisur poshtë një ure, në afërsi të vendit ku kishte ndodhur ngjarja.

Deri më tani nuk ka persona të arrestuar. Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: