Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar probleme në Rrugën e Arbrit, në segmentin që lidh dy lagje të qytetit të Bulqizës.

Sasia e madhe e ujit të akumuluar, që vjen nga zona e Qafës së Buallit, si dhe bllokimi i kanaleve kulluese anësore, kanë bërë që rruga të mbulohet nga uji, duke vështirësuar qarkullimin dhe krijuar rrezik për drejtuesit e automjeteve.

Për shkak të situatës, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë dhe të lëvizin me kujdes në këtë segment rrugor.

Problemi i përmbytjes së këtij aksi përsëritet sa herë ka reshje intensive shiu. Sipas problematikës së evidentuar, kanalet kulluese nuk arrijnë të përballojnë prurjet e mëdha të ujit që grumbullohen nga të dyja anët e luginës së Bulqizës.

Pavarësisht përsëritjes së situatës, problemi i kullimit vijon të mbetet një shqetësim për banorët dhe përdoruesit e Rrugës së Arbrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb