Një pilulë e re eksperimentale po konsiderohet si një nga përparimet më të rëndësishme në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekadat e fundit. Ilaçi daraxonrasib, i kombinuar me kimioterapinë, ka dhënë rezultate premtuese në studimet e para klinike, duke bërë që tumoret të tkurren apo të mos dallohen më në skanimet mjekësore te disa pacientë.
Në provën klinike të fazës I/II, ku morën pjesë 61 pacientë me kancer të avancuar të pankreasit, tumoret ndaluan së rrituri në rreth 90% të rasteve. Më shumë se 60% e pacientëve patën tkurrje të tumoreve, ndërsa në rreth 8% të tyre, ose një në 12 pacientë, tumoret nuk u dalluan më në skanimet CT, shkruan BBC.
Rezultatet janë vlerësuar si jashtëzakonisht inkurajuese nga organizata Cancer Research UK. Dr. Sam Godfrey e cilësoi këtë zhvillim si një hap të madh përpara, duke theksuar se ilaçi ka arritur të synojë një mekanizëm biologjik që deri më tani ishte shumë i vështirë për t’u trajtuar.
Daraxonrasib vepron duke bllokuar mutacionet KRAS/RAS, të cilat janë të pranishme në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e tumoreve.
Sipas studiuesve të Qendrës së Kancerit Memorial Sloan Kettering në SHBA, trajtimi ka treguar jo vetëm tkurrje më të madhe të tumoreve, por edhe zgjatje të periudhës gjatë së cilës sëmundja mbahet nën kontroll.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nuk mund të konsiderohen si provë e një kure. Pacientët janë ndjekur mesatarisht për rreth një vit e gjysmë dhe nevojiten studime më të gjata për të kuptuar nëse tumoret mund të qëndrojnë në remision dhe për sa kohë.
Kanceri i pankreasit është ndër format më vdekjeprurëse të sëmundjes, pasi shpesh diagnostikohet në faza të avancuara dhe ka mundësi të kufizuara trajtimi. Sipas të dhënave të Cancer Research UK, në Britani regjistrohen rreth 11.500 raste të reja dhe 10.200 vdekje çdo vit.
Studiuesit shpresojnë që ky mekanizëm trajtimi të mund të japë rezultate edhe në forma të tjera të kancerit, përfshirë atë të mushkërive dhe vezoreve, ku shfaqen mutacione të ngjashme.
Pavarësisht optimizmit, mjekët theksojnë se nevojiten prova të mëtejshme për të përcaktuar efektivitetin afatgjatë dhe ndikimin e ilaçit në mbijetesën e pacientëve.
