Pedagogu Ervin Goci, në një prononcim për News24, ka komentuar zhvillimet e protestës dhe ndikimin e saj brenda Partisë Socialiste. Sipas tij, protesta ka depërtuar në strukturat dhe elektoratin e PS-së, ndërsa paralajmëroi se partia mund të përballet me një proces përçarjeje dhe shkrirjeje.
Goci bëri një paralelizëm me atë që ndodhi në Partinë Demokratike më 8 janar, duke kujtuar përplasjet e brendshme të asaj kohe. Ai tha se, ndryshe nga PD-ja, ku konflikti u shfaq brenda vetë partisë, në rastin e PS-së përplasja po reflektohet edhe ndaj qytetarëve që protestojnë.
“Protesta ka hyrë në zemër të PS-së. Ajo parti ishte e degjeneruar dhe do të shkojë drejt shkrirjes. Aty ka dhe elektorat dhe njerëz të ndershëm. Mos harroni se çfarë ka ndodhur me PD-në. Atë ditën e 8 janarit e mori goditje PD-ja, kur kapën hunjtë me njëri-tjetrin. Dhe PS sot, kur e kupton se ka të korruptuar kryetarin dhe anëtarët, mirë që rreh të vetin, por rreh dhe shqiptarët. Kjo është e njëjta gjë që i ndodhi PD-së. Por PD-ja i nxori hunjtë ditën kur pati konfliktin e brendshëm, kurse PS-ja i nxori për të rrahur qytetarët.”, tha ai.
