Analisti Ben Andoni, në një lidhje online në emisionin “News24 Fundjavë”, me moderatoren Megi Latifi, ka komentuar zhvillimet politike në vend, përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe Bashkisë së Tiranës, si dhe protestat që po vijojnë prej muajsh.
Andoni u shpreh se Rama ka humbur shumicën e mbështetjes që mendonte se kishte, ndërsa si tregues të kësaj situate përmendi edhe gjuhën e përdorur në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Sipas analistit, mobilizimi i ministrave, deputetëve dhe militantëve për të mbajtur Tiranën tregon problemet e mëdha që qeveria ka me qytetarët shqiptarë. Duke folur për zgjedhjet lokale, Andoni theksoi se ato duhet të jenë në funksion të qytetarëve dhe jo të politizohen nga dy partitë e mëdha. Ai nënvizoi se Tirana ka nevojë për moratoriume ndërtimi, krijimin e parqeve dhe mbrojtjen e hapësirave të gjelbra, duke veçuar edhe rrezikun që i kanoset Parkut të Liqenit Artificial.
“Rama mendon që Tirana nuk merret me punë, por me propagandë. Për mua kjo është e drejtë, na kanë neveritur”, u shpreh Andoni.
Ai komentoi edhe përplasjet mes kryeministrit dhe Bashkisë së Tiranës, duke sjellë në vëmendje konfliktet e mëparshme mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Një tjetër çështje ku u ndal analisti ishte situata e biznesit dhe klima ekonomike në vend. Sipas tij, bizneset kanë nevojë për një mjedis të sigurt ligjor dhe konkurrencë të barabartë, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi mundësinë që sipërmarrjet e vogla të gjejnë drejtësi, kur edhe dhomat e tregtisë, përfshirë atë amerikane, kanë shprehur kritika për problematikat që hasin.
Andoni u shpreh se protesta gëzon tashmë mbështetje qytetare, por theksoi se ka ardhur koha që ajo të organizohet më mirë dhe të ketë objektiva të qarta.
“Nuk ka shqiptar që nuk e ndjen protestën dhe nuk e mbështet tani. Por protestës ka ardhur koha t’i jepen objektiva të qarta”, u shpreh ai.
Sipas analistit, qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet deri në fund të muajit dhe shumë prej tyre detyrohen të largohen jashtë vendit.
“Rama nuk ka më kredite. Sa më shumë zgjatet ai me propagandë, aq më shumë kosto ka për shqiptarët. Pas 14 vitesh në pushtet, qytetarët nuk kanë ujë 24 orë”, deklaroi Andoni.
Në vijim, ai kritikoi edhe zhvillimin urban të kryeqytetit, duke theksuar se Tirana po modernizohet përmes ndërtimeve, por pa pasur infrastrukturën e nevojshme për të përballuar këtë zhvillim.
Në fund, analisti u ndal te deklaratat e qeverisë për rritjen ekonomike, duke theksuar se ato nuk mund të shkëputen nga rritja e inflacionit, të cilin e cilësoi si një “taksë të padukshme” që gërryen fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Rama flet për rritje ekonomike por nuk flet që rritet inflacioni, që është ajo taksa e padukshme që ‘ha” në mënyrë të fshehtë paratë. Shqiptarët e kanë gjithmonë e më të vështirë që të sigurojnë jetesën apo të bëjmë pushime”, u shpreh ai.
