Kryetari i Shoqatës “Tomorri”, Engjëllush Musai, ka vlerësuar rolin e shoqatës në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve, gjatë aktivitetit për 120-vjetorin e krijimit të saj.

Në fjalën e tij, Musai e cilësoi “Tomorrin” si një institucion me rëndësi në historinë dhe kujtesën kombëtare, duke theksuar kontributin e rilindësve dhe të figurave që luftuan për pavarësinë, çlirimin dhe zhvillimin e vendit.

Ai u shpreh se ekzistojnë përpjekje për të lënë në harresë rolin e figurave historike, ndërsa bëri thirrje për vlerësimin e atyre që kontribuuan në ndërtimin e Shqipërisë, përmes veprave të rëndësishme si shkollat, spitalet, urat dhe ndërtesat.

“Shoqata është gur ku është mpiksur gjaku i dëshmorëve të atdheut, që shërbeu si shtyllë të mëmëdheut, ndër të cilët janë edhe martirët e diturisë. Ka shumë fjalë, ndërhyrje, inate dhe mllefe që duan të harrojnë rolin e rilindësve tanë kombëtarë, rolin e atyre që luftuan për pavarësinë dhe çlirimin, që ndërtuan vendin, vepra të rëndësishme të këtij vendi si spitale, shkolla, ura e ndërtesa. Duhet të mendojmë për ata që padrejtësisht u ndëshkuan gjatë asaj periudhe. I vetmi sektor që mund të bëjë këtë bashkim janë vetëm shoqatat tona”, deklaroi Musai.

Kryetari i shoqatës vuri në dukje edhe zgjerimin e aktivitetit të “Tomorrit”, e cila ka shtrirë veprimtarinë në disa qytete të vendit, duke hapur degë në Berat, Kuçovë, Poliçan, Çorovodë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë, Cërrik, Pogradec, Kolonjë, Durrës dhe Tiranë.

Në përfundim të fjalës së tij, Musai përcolli një mesazh për bashkim, duke theksuar se ndasitë politike, krahinore apo ideologjike duhet të lihen mënjanë për hir të interesave të përbashkëta kombëtare.

“Të gjithë duhet të bashkohemi pa dallim bindjesh krahinore e idesh, t’i shërbejmë interesit tonë kombëtar”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb