Finlanda ka thirrur të hënën ambasadorin rus në Helsinki, duke dënuar ashpër sulmet e Moskës ndaj Ukrainës dhe ato që i cilësoi si “veprime të rrezikshme dhe të pamatura” të Rusisë në Evropë.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme finlandeze shprehu solidaritetin me Danimarkën, Poloninë dhe partnerët e tjerë evropianë, ndërsa përsëriti mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
“Ne e dënojmë fuqimisht luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë dhe sulmet e saj në rritje kundër objektivave civile në Ukrainë. Ne jemi në solidaritet me Danimarkën, Poloninë dhe partnerët tanë të tjerë evropianë”, thuhet në deklaratë.
Ky reagim vjen pas një incidenti të shtunën pasdite, kur një helikopter rus dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore të Finlandës, pranë brigjeve të qytetit Loviisa.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, deklaroi se incidenti mund të ketë lidhje me operacionet e shpëtimit ose të monitorimit të anijes ruse të mallrave “Sparta II”. Anija u përfshi nga flakët pasi dyshohet se u godit nga dronë në Gjirin e Finlandës, të shtunën në mëngjes, ndërsa po lundronte drejt Kaliningradit.
Ndërkohë, Roja Kufitare Finlandeze konfirmoi të dielën se “Sparta II” po tërhiqej nga një anije ruse shpëtimi. Sipas autoriteteve finlandeze, anija ishte lehtësisht e anuar, por situata paraqitej e qëndrueshme. Një helikopter i Rojës Kufitare po monitoronte anijen dhe rreziqet e mundshme për mjedisin detar.
“Ukraina ka të drejtë të mbrohet kundër agresionit të paligjshëm të Rusisë. Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës”, theksoi më tej Ministria e Jashtme finlandeze.
Anija “Sparta II” është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që prej vitit 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Edhe Ukraina ka vendosur sanksione ndaj saj.
Gjiri i Finlandës përbën një korridor të rëndësishëm detar për Rusinë, pasi lidh qytetin e Shën Petersburgut me Detin Baltik dhe rrugët e tjera detare evropiane.
