Një qen i racës Golden Retriever është kthyer në hero në Brazil, pasi shpëtoi një vajzë 2-vjeçare nga mbytja në pishinën e shtëpisë së saj.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentet e frikshme kur vogëlushja ra aksidentalisht në ujë.
Në videon e publikuar shihet Maite duke zbritur shkallët e pishinës, por papritur humbet ekuilibrin dhe përfundon në ujë. Teksa vogëlushja përpiqet të qëndrojë mbi sipërfaqe, në ndihmë të saj vjen qeni i familjes, Teresa.
Golden Retriever-i hidhet menjëherë në pishinë dhe i afrohet vajzës, e cila arrin të kapet pas trupit të tij për të mbajtur kokën mbi ujë. Prania e qenit i dha vogëlushes mundësinë të qëndronte në sipërfaqe deri në momentin kur familjarët ndërhynë. Pak sekonda më vonë, nëna dhe motra e madhe e Maites vrapojnë drejt pishinës, futen në ujë dhe arrijnë ta nxjerrin vajzën shëndoshë e mirë.
Golden retriever saves drowning girl in a swimming pool in Brazil.
During a family celebration, the mother briefly stepped away to get a cake while the children went into the pool and ended up in the deep end. One of the girls began to drown.
A golden retriever named Teresa noticed what was happening. The dog jumped into the water and swam towards the child.
The girl grabbed onto Teresa and stayed afloat until her mother returned and pulled her out of the pool.
— NEXTA (@nexta_tv) November 23, 2026
Nëna e vogëlushes tregoi se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh. Ajo ishte larguar për pak kohë nga pishina për të marrë një copë tortë, ndërsa vajza e madhe kishte shkuar të lante qenin. Sipas saj, Maite kishte akses në pishinë, por nuk hynte asnjëherë vetëm në ujë, duke pritur gjithmonë që dikush të bashkohej me të.
Kur e pyeti të bijën se çfarë kishte dashur të bënte, vogëlushja i shpjegoi se thjesht kishte dashur të zhytej në pishinë. “Ajo sapo hyri në pishinë. Nga ajo që më tha, donte të zhytej. Kjo është pafajësia e një fëmije”, rrëfeu nëna. Ajo publikoi edhe videon e ngjarjes për të ndërgjegjësuar prindërit mbi rrezikun që mund t’u kanoset fëmijëve në pishina, duke theksuar se një tragjedi mund të ndodhë brenda vetëm dy sekondash. Ndërkohë, për familjen, Teresa është tashmë heroina e vogël e shtëpisë, pasi reagimi i saj ndihmoi në shpëtimin e jetës së Maites.
