Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka zgjedhur ironinë për të komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, pas përplasjeve politike që kanë përfshirë figura të rëndësishme të kësaj force politike.

Përmes një postimi në Facebook, Dervishi ka publikuar një dokument satirik, të paraqitur në formën e një vendimi të Këshillit të Ministrave, për krijimin e një të ashtuquajturi “Komisioni i Internimit”.

Në këtë dokument imagjinar, si emrat e parë që do t’i nënshtrohen këtij procesi përmenden ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-ministrja Elisa Spiropali. Me nota humori, gazetari pretendon se dokumenti është “vjedhur nga serverët e Partisë Socialiste gjatë sulmit të hakerëve iranianë dhe koreano-veriorë”, duke iu referuar në mënyrë ironike zhvillimeve dhe tensioneve të fundit brenda mazhorancës.

Postimi i plotë

Zbulohet një tjetër dokument që dyshohet se është vjedhur nga serverët e Partisë Socialiste gjatë sulmit të hakerëve iranianë dhe koreano-veriorë. Dokumenti, i datës 24 nëntor 2026, paraqitet si vendim i Këshillit të Ministrave për ngritjen e Komisionit Qeveritar të Dëbim-Internimeve. Në krye të listës së parë për internim figurojnë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali. Më poshtë botojmë tekstin e plotë.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KËSHILLI I MINISTRAVE

VENDIM

Nr. extra, datë 24.11.2026

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT QEVERITAR TË DËBIM-INTERNIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në përgjigje nevojave të kohës, me qëllim ruajtjen e unitetit të Partisë, forcimin e disiplinës së brendshme dhe parandalimin e shfaqjeve të huaja në gjirin e mazhorancës, me propozim të Kryeministrit,

KËSHILLI I MINISTRAVE VENDOSI:

1.⁠ ⁠Ngritjen e Komisionit Qeveritar të Dëbim-Internimeve, si organ i përhershëm pranë Kryeministrisë.

2.⁠ ⁠Komisioni shqyrton rastet e zyrtarëve që shfaqin prirje për mendim të pavarur, ambicie të pakontrolluara, kontakte të papërshtatshme apo luhatje në qëndrimin ndaj udhëheqjes.

3.⁠ ⁠Në listën e parë të personave që i nënshtrohen masës së internimit përfshihen:

a) Erion Veliaj;
b) Elisa Spiropali.
1.⁠ ⁠Meritat e mëparshme, kontributet në fushata, deklaratat e besnikërisë dhe fotografitë me udhëheqjen nuk përbëjnë më rrethana lehtësuese.

2.⁠ ⁠Komisioni ngarkohet të përcaktojë vendin dhe kohëzgjatjen e internimit, në varësi të shkallës së pendesës dhe nevojave politike të momentit.

3.⁠ ⁠Lista e personave që i nënshtrohen kësaj mase mbetet e hapur.

4.⁠ ⁠Vendimet e Komisionit janë të formës së prerë, përveç rasteve kur udhëheqja ndryshon mendim.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe, sipas rastit, edhe me fuqi prapavepruese.

KRYEMINISTRI

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: