Gazetari dhe analisti Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar deklaratat e Elisa Spiropalit pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Duke analizuar qëndrimin e ish-kryetares së Kuvendit, e cila deklaroi se Edi Rama duhet të ndryshojë modelin e qeverisjes ose të largohet, si dhe shprehu gatishmërinë për të garuar për drejtimin e Partisë Socialiste, Kikia u ndal te ndarja që Spiropali bëri mes përplasjes politike dhe çështjeve ligjore.

Sipas analistit, një element pozitiv në qëndrimin e saj është fakti që ajo ka zgjedhur t’ia lërë në dorë Prokurorisë së Posaçme çështjen që lidhet me hetimet ndaj saj, ndërsa deklaratat publike t’i përqendrojë te parimet dhe mënyra e qeverisjes.

“Ajo që mund të konsiderohet një gjë pozitive në këtë lëvizje politike të Spiropalit është ndarja e çështjes politike nga ajo që konsiderohet tashmë si çështje ligjore, pasi Prokuroria e Posaçme ka hapur një çështje penale ndaj zonjës Spiropali dhe familjarëve të saj, për dyshime për korrupsion, abuzim me fonde, evazion fiskal, pastrim parash etj. Pra, la të kuptohet se daljet e saj publike dhe përdorimi i hapësirës mediatike nuk janë një mënyrë për t’u mbrojtur përballë këtyre akuzave, por e la tërësisht në dorë të Prokurorisë. Qëndrimet e saj sot dhe në vazhdim, siç deklaroi, do të jenë për çështje parimore”, u shpreh Kikia.

Analisti vlerësoi gjithashtu se kritikat e Spiropalit ndaj Edi Ramës dhe mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste janë të drejta, pavarësisht rolit që ajo vetë ka pasur në këtë forcë politike dhe kontributit të saj ndër vite.

“Ne jemi koshientë që Spiropali është një nga kontribuueset e rëndësishme për atë që sot ajo akuzon Ramën apo vetë Partinë Socialiste, për mënyrën se si qeveriset, për mënyrën se si drejtohet dhe për mënyrën se si qeveris vendin. E megjithatë, jam i prirur të them se, pavarësisht rolit dhe kontributit të saj në këtë drejtim, ajo që Spiropali thotë është e drejtë dhe e vërtetë. Këtu jam i prirur ta shikoj çështjen vetëm në aspektin parimor”, deklaroi ai.

Megjithatë, Kikia u shpreh skeptik se kjo përplasje do të sjellë trazira të brendshme në Partinë Socialiste, duke theksuar se nuk beson se Spiropali do të arrijë të shkaktojë përçarje në strukturat e partisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb