Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Stavro Pilo, vijon të tërheqë vëmendjen e mediave greke. Këtë herë është prestigjiozja sportive “Sportime.gr” që i ka kushtuar një artikull futbollistit, duke u ndalur te vendimi i duhur i AEK për të rinovuar me mbrojtësin kuqezi.
“Marios Iliopoulos bëri një nga lëvizjet më të zgjuara këtë verë, më 9 gusht, kur rinovoi kontratën e Stavro Pilos deri në vitin 2030. Pak muaj më vonë, lojtari, i cili u vu në diskutim si askush tjetër, shënoi kundër Mançester Sitit dhe Real Madridit, ndërsa bëri një tjetër paraqitje të nivelit të lartë kundër Komos.
“Lojtarë të mirë që luajnë në të majtën në Europë janë të vështirë për t’u gjetur, aq më pak ata që përmbushin kushtet për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe ofrojnë aftësi sulmuese.
Nëse Pilo vazhdon me këto paraqitje, do të jetë e vështirë që ai të vazhdojë pa rënë në sy të skuadrave të mëdha të huaja”, thekson portali grek, duke parashikuar një transferim në të ardhmen jo shumë të largët të mbrojtësit.
“AEK-u kërkon prej kohësh një mbrojtës të majtë. Tani mund të ketë ardhur koha kur skuadrat europiane të shohin në ‘Nea Filadelfia’ për të gjetur një të tillë. Dhe ato do të duhet të paguajnë mirë për ta marrë”, përfundon artikulli.
