Spanja po përballet me një valë rekord emigrantësh vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 29 nëntorit. Më shumë se 2,100 persona mbërritën brenda 24 orëve në Ishujt Kanarie, duke shënuar numrin më të lartë të mbërritjeve në një ditë në historinë e vendit.

Në qendër të krizës ndodhet El Hierro, një ishull i vogël me rreth 12 mijë banorë, që është kthyer në një nga portat kryesore të hyrjes së emigrantëve afrikanë në Evropë.

Sipas gazetës britanike “The Times”, vetëm gjatë nëntorit në ishull kanë mbërritur mbi 15 mijë emigrantë, një numër që tejkalon popullsinë vendase.

Shumica e emigrantëve janë nisur nga Senegali dhe Gambia, duke përshkuar për disa ditë ujërat e Atlantikut me varka të mbingarkuara. Një person humbi jetën gjatë udhëtimit, ndërsa mes të mbijetuarve ndodhej edhe një foshnjë katërditëshe, e lindur në det.

Fluksi i jashtëzakonshëm ka vënë nën presion qendrat e pritjes, shërbimet shëndetësore dhe ekipet e shpëtimit. Autoritetet kanë ngritur edhe një spital fushor për të përballuar situatën.

Presidenti i qeverisë rajonale të Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, ka paralajmëruar se kapacitetet e strehimit rrezikojnë të shterojnë, duke kërkuar ndërhyrjen e Madridit dhe të Bashkimit Evropian.

Aktualisht, autoritetet e arkipelagut kujdesen për 3,325 të mitur të pashoqëruar, ndërsa ky numër mund të kalojë 4 mijë deri në fund të vitit.

Kriza migratore ka ndezur edhe debatin politik në Spanjë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Partia Popullore ka kritikuar mënyrën se si qeveria e Pedro Sánchez po menaxhon situatën, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox e ka vendosur emigracionin në qendër të fushatës së saj.

Sánchez ka mbrojtur nevojën për forcimin e kontrolleve kufitare, por edhe për krijimin e rrugëve ligjore të emigrimit, duke argumentuar se ekonomia spanjolle ka nevojë për fuqi punëtore.

Sipas Reuters, që prej fillimit të vitit në Ishujt Kanarie kanë mbërritur mbi 28 mijë emigrantë, rreth 21 mijë prej të cilëve vetëm gjatë dy muajve të fundit.

Rruga e Atlantikut nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie konsiderohet një prej korridoreve migratore më vdekjeprurëse në botë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb