Të paktën 14 persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi me dronë në qytetin Al-Damazin, në juglindje të Sudanit. Nga bombardimi, që dyshohet se u krye nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), mbetën të plagosur edhe 15 persona. Sipas një burimi mjekësor në spitalin e Al-Damazin, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë AFP, dronët goditën tre banesa fqinje të martën në mbrëmje, duke shkaktuar viktima në mesin e banorëve, përfshirë fëmijë.

Ndërkohë, organizata Lawyers of Emergency, e cila dokumenton shkeljet dhe dhunën gjatë konfliktit në Sudan, raportoi se numri i viktimave nga sulmi mund të jetë 19. Një burim ushtarak sudanez deklaroi se Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë kishin shënjestruar zonat e banuara të Al-Damazin duke përdorur disa dronë. Dhuna është përshkallëzuar ndjeshëm në shtetin e Nilit Blu, në kufi me Etiopinë, ku forcat paraushtarake kanë intensifikuar ofensivën. Sipas Kombeve të Bashkuara, luftimet kanë detyruar më shumë se 100 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

Këtë javë, milicitë njoftuan marrjen nën kontroll të zonës së New Funj dhe pretenduan se kishin mbërritur në distriktin Al-Damazin, vetëm pak ditë pasi kishin marrë një qytet tjetër, rreth 15 kilometra larg. Ndërkohë, një tjetër sulm me dronë të martën goditi një termocentral në qytetin Rozeires, po në shtetin e Nilit Blu. Sipas organizatës Lawyers of Emergency, goditja rrezikon të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike në zonë. Konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, i nisur në prill të vitit 2023, ka shkaktuar një katastrofë të rëndë humanitare. Sipas punonjësve të ndihmës, numri i viktimave ka kaluar 200 mijë, ndërsa OKB-ja e konsideron situatën krizën më të rëndë humanitare në botë.

Përdorimi i dronëve nga të dyja palët është shtuar ndjeshëm. Sipas një raporti të OKB-së të publikuar në mesin e nëntorit, rreth 75% e civilëve të vrarë në konflikt gjatë këtij viti, më shumë se 1,630 persona, kanë humbur jetën nga sulmet me dronë. Ndërkohë, ushtria sudaneze ka akuzuar vazhdimisht Etiopinë se po mbështet forcat paraushtarake duke u lejuar të përdorin territorin e saj për lëshimin e dronëve. Akuzat janë mohuar nga autoritetet etiopiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: