Emisioni investigativ “Tak Fak” është rikthyer këtë të mërkurë në transmetim, me tema dhe rubrika të reja, duke sjellë në vëmendje problematikat me të cilat përballen qytetarët.

Këtë herë, “Tak Fak” ka udhëtuar drejt Kamzës, ku është përballur me denoncimin e qytetarit Kujtim Sala, i cili prej një konflikti pronësie me fqinjin e tij pretendon se nuk arrin të shfrytëzojë të gjithë sipërfaqen e tokës që i takon.

Sala shprehet se ka përfituar 14 dynym tokë në bazë të ligjit 7501, por 6 dynym prej kësaj sipërfaqeje sot mbahen, sipas tij, nga fqinji Përparim Xhixha.

Problematika lidhet me kufirin ndarës mes dy pronave, i cili ishte vendosur përpara se palët të pajiseshin me dokumentacionin e pronësisë.

Ndonëse tashmë të dy fqinjët disponojnë certifikata pronësie, sipas denoncuesit, Përparim Xhixha nuk pranon të zhvendosë kufirin e vendosur më herët, duke vijuar të mbajë në përdorim sipërfaqen prej 6 dynymësh që Sala pretendon se i përket atij.

Rasti i denoncuar në “Tak Fak” nxjerr në pah problematikat që vijojnë të shoqërojnë ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, ku edhe pas pajisjes së qytetarëve me certifikata pronësie, mospërputhjet mes kufijve faktikë dhe atyre të përcaktuar në dokumentacion mbeten burim konfliktesh mes fqinjëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb