Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka komentuar në emisionin “Prime News24” zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste dhe deklaratat e Elisa Spiropalit pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar socialist.

Xhaferri u shpreh se deklaratat e Spiropalit nuk japin ende sinjale konkrete për një angazhim të saj në opozitë, duke theksuar se është ende herët për të kuptuar se si do të zhvillohet kjo përplasje me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Sipas deputetit demokrat, Spiropali do ta ketë të vështirë të fitojë besueshmëri në një rol të ri opozitar, pasi për vite me radhë ka qenë në nivelet më të larta të drejtimit të qeverisë.

“Spiropali nuk jep sinjale konkrete, mund të jetë herët. Duhet parë se si do të evoluojë metamorfoza e Spiropalit drejt një opozitëbërjeje, ku ka vështirësi të gjejë kredibilitet, sepse ka qenë në majat e qeverisjes”, u shpreh Xhaferri.

Ai theksoi se ish-kryetarja e Kuvendit nuk duhet të paraqitet si viktimë e përplasjes politike, por sipas tij, duhet të shfaqë pendesë për veprimet dhe bashkëpunimin e saj të mëparshëm me Edi Ramën, në mënyrë që kritikat e saj të kenë besueshmëri.

“Spiropali nuk duhet të bëjë viktimën, por të penduarën për gjërat që mund të ketë bërë gabim dhe për bashkëpunimin me Edi Ramën. Pastaj mund të besohen akuzat që ajo hedh”, deklaroi deputeti i PD-së.

Xhaferri solli në vëmendje edhe raste të mëparshme të ish-eksponentëve socialistë, të cilët, sipas tij, pas përplasjeve me mazhorancën kanë zgjedhur të viktimizohen dhe të shfajësohen përballë akuzave të drejtësisë.

Ai nënvizoi se, për të fituar besimin e publikut, Spiropali duhet të jetë e sinqertë për rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur gjatë kohës kur ishte pjesë e drejtimit të Partisë Socialiste.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb