Gazetari dhe analisti Sebastian Zonja, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar përplasjen mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama pas përjashtimit të ish-kryetares së Kuvendit nga grupi parlamentar socialist.
Zonja u ndal te deklaratat e fundit të Spiropalit, duke i cilësuar ato si akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës. Ai vuri në dukje se kryeministri po përballet me kritika të forta nga dy persona që kanë qenë bashkëudhëtarë të tij për dekada në politikë, duke iu referuar Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit.
Sipas gazetarit, Spiropali nuk foli vetëm për korrupsionin, por ngriti pretendime se paratë e përfituara nga korrupsioni përdoren për të blerë vota, për të kërcënuar qytetarët dhe për të mbajtur pushtetin.
“Rama është akuzuar nga dy bashkëudhëtarët e tij prej dekadash në politikë për dy akuza të rënda. Veliaj ka thënë se tenton dhe mund edhe ta vrasë, ndërsa Spiropali i tha sot se Rama është parti-shtet. Janë bashkëudhëtarë që kanë ecur bashkë në rrugën e pushtetit.
Mund të flasim gjithë ditën për korrupsion, por Spiropali tha sot se ky korrupsion përdoret për të blerë vota, për të kërcënuar njerëz. Tha se nuk ka rrugë e hekurudha, sepse ato lekë shkojnë që Rama të mbajë pushtetin. Tha që Rama i bën takimet me lekët e korrupsionit.
Spiropali bëri një sfidë të hapur, i tha: ‘Ti ke fshehur statutin’. Sepse ish-kryeparlamentarja nuk mund të përjashtohet nga PS. Ajo tha se të gjitha paratë shkojnë për të përçarë opozitën”, u shpreh Zonja.
Analisti theksoi kështu se deklaratat e Spiropalit përbëjnë një përballje të drejtpërdrejtë me kryeministrin, jo vetëm për mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste, por edhe për përdorimin e burimeve financiare dhe mekanizmave të pushtetit.
