Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ka njoftuar një nismë të pazakontë, duke premtuar se çdo fëmijë në Shtetet e Bashkuara do të përfitojë dy aksione të kompanisë SpaceX, në një dhuratë që vlerësohet në rreth 18 miliardë dollarë.
Sipas njoftimit të bërë nga Musk në platformën X, çdo fëmijë do të marrë një aksion të emetuar nga vetë kompania dhe një tjetër që miliarderi do ta dhurojë personalisht. Ai nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si do të realizohet shpërndarja.
Nisma lidhet me programin e quajtur “Trump Accounts”, i cili synon t’u japë të gjithë amerikanëve nën moshën 18 vjeç mundësinë të përfitojnë nga tregu i aksioneve dhe të krijojnë pasuri që në moshë të re. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur në tetor se ishin hapur rreth 70 milionë llogari të tilla.
Aksionet e SpaceX u mbyllën të mërkurën me një vlerë prej 127.44 dollarësh për aksion. Në këtë nivel, angazhimi i Musk vlerësohet në rreth 18 miliardë dollarë, ose afërsisht 16 miliardë euro.
Kjo nuk është hera e parë që miliarderi flet për një dhurim të tillë. Që në tetor, ai kishte deklaruar se synonte t’i jepte një aksion të SpaceX çdo fëmije në Amerikë. “Vitin tjetër do t’ia jap nga një aksion të SpaceX çdo fëmije në Amerikë”, shkruante Musk në atë kohë, duke argumentuar se shpërndarja e aksioneve te qytetarët është një mënyrë për t’i bërë ata pjesë të ekonomisë së së ardhmes.
Pasuria personale e Musk vlerësohet në rreth 824 miliardë dollarë. Deri në muajin qershor, ai zotëronte 6.42 miliardë aksione të SpaceX. Ndërkohë, edhe presidentja e SpaceX, Gwynne Shotwell, së bashku me bashkëshortin e saj, janë angazhuar të dhurojnë një pjesë të aksioneve të tyre për më shumë se 2 milionë fëmijë, në kuadër të së njëjtës iniciativë.
Nisma e Musk vjen në një kohë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me kërkesa në rritje për të ndarë përfitimet e krijuara nga zhvillimi i inteligjencës artificiale. Konkurrentja e SpaceX, Anthropic, njoftoi gjithashtu në tetor krijimin e një fondi për të mirën e përbashkët, ku synon të përfshijë 5% të aksioneve të saj, me një vlerë të përllogaritur prej 54 miliardë dollarësh. Ndërsa Musk ka zgjedhur modelin e shpërndarjes së aksioneve drejtpërdrejt te fëmijët amerikanë, Anthropic ka prezantuar një qasje tjetër, duke synuar financimin e nismave me përfitim për shoqërinë.
