“Në vitin 1966 një poet i ri shqiptar fluturonte mbi Kosovë. Kufiri i asaj kohe, nuk e lejonte që të zbriste. Kosova i përkiste vetëm qiellit. Dhe ai shkroi: ‘Sa herë kam kaluar në qiellin tënd Kosovë, midis reve të tua rënda, gjëmimeve të tua’. Ai poet I ri ishte babai im. Kështu nisi marrëdhënia e tij me Kosovën, nga qielli, nga larg, si një mall që s’kishte ku të ulej”.
Besiana Kadare, e përshkruan në këtë mënyrë, marrëdhënien e shkrimtar Ismail Kadare me Kosovën. Mandej, botuesi i tij, Bujar Hudhri, kujtoi librin e Kadaresë “Ra ky mort e u pamë”, kushtuar Kosovës.
“U bë promovimi dhe akademiku Rexhep Qosja tha, ‘unë kam shkruar 2 mijë faqe për Kosovën, por këto 200 faqe janë më të rëndësishme’. Dëshironte që veprën e tij të plotë ta përuronte në Kosovë. Pse atje? Sepse Kosova ia përgatiti e para, një përmbledhje veprash me 10 vëllime me parathënie të Ibrahim Rugovës”, tha Hudhri.
Në çeljen e një ekspozite organizuar nga Shtëpia Studio “Kadare” në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, u vu në dukje marrëdhënia e shkrimtarit me Kosovën.
Nora Arapi, Zv.Ministre e Kulturës së Kosovës: Ai përdori autoritetin e tij intelektual e ndërkombëtar për të mbështetur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Lira Pipa, zv.ministre e Kulturës së Shqipërisë: Për të Kosova ishte plagë e hapur dhe vetë ndërgjegjja e kombit shqiptar.
Majlinda Toçi, Drejtore e Bibliotekës: Dëshmitë e një marrëdhënieje që është shumë më shumë se sa letrare.
Anisa Ymeri, Shtëpia Studio Kadare: Thelbi i kësaj ekspozite janë dorëshkrimet e letrat që dalin për herë të parë nga arkivat.
Objekte, letra, shënime, imazhe, sjellin në vëmendje, distancën dhe afërsinë mes shkrimtarit e shqiptarëve matanë kufirit.
