Reshjet e shiut me intensitet të ulët deri mesatar kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit. Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:20 të datës 26 nëntor, akset rrugore nacionale dhe ato bashkiake janë përballur me rënie gurësh, inertesh dhe vërshime uji.
Subjektet kontraktore vijojnë punën në terren për pastrimin e rrugëve nacionale dhe mbajtjen e tyre funksionale. Megjithatë, autoritetet bëjnë me dije se të gjitha akset nacionale janë aktualisht të kalueshme normalisht.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohet për problematika të tjera të shkaktuara nga kushtet atmosferike.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë qarku është i mbuluar, me përjashtim të fshatit Zarisht, në Njësinë Administrative Qendër Krumë, bashkia Has, ku vijon mungesa e energjisë.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm kryhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për të ndërhyrë në rast të problematikave të tjera.
