Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 10:00, një seancë plenare në vazhdim të mbledhjeve të mëparshme, ku deputetët do të shqyrtojnë disa çështje të mbetura pa përfunduar nga seancat e 12, 13 dhe 19 nëntorit 2026.
Në rendin e ditës janë përfshirë dy propozim-rezoluta që lidhen me gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe atë të energjisë elektrike.
Deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën e dalë nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer gjiri, e cila mbeti për katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, do të hidhet në votim edhe propozim-rezoluta nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Në vijim të seancës së 19 nëntorit, në rend dite janë edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës: dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në fund, pritet të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili merret me veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
