Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Posaçme për Fatime Kryemadhin, Piro Xhixhon dhe Ema Çokun, të gjykuar në një fraksion të veçuar të dosjes Meta-Kryemadhi. Në vendimin e saj, GJKKO ka shpallur fajtore Fatime Kryemadhin për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, duke e dënuar fillimisht me 7 vite e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar në 5 vite burgim.

Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe kalimin e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, Fatime Kryemadhi nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale dhe duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Gjithashtu, në bazë të nenit 60, pika 9 të Kodit Penal, gjykata e ka urdhëruar të mos mbajë kontakte me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me vilën e Fatime Kryemadhit në rezidencën “Kodra e Diellit” në Tiranë, ku aktualisht jeton Monika Kryemadhi. GJKKO ka rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e kësaj pasurie, e cila përbëhet nga disa kate dhe ambiente me sipërfaqe të konsiderueshme. Prona ndodhet në rrugën “Jaseminëve”, Vila nr. 163, në zonën kadastrale Selitë.

Piro Xhixho shpallet i pafajshëm, i hiqet masa e sigurisë
Për ish-kreun e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho, gjykata ka vendosur pafajësinë për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit, pafajësia është dhënë pasi nuk është provuar që ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Për rrjedhojë, GJKKO ka vendosur edhe heqjen e masës së sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, e caktuar ndaj tij me vendimin e datës 23 tetor 2024.

Ema Çoku dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim
Ndërkohë, Ema Çoku është shpallur fajtore për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Gjykata e ka dënuar fillimisht me 2 vite burgim, por pas uljes me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është caktuar 1 vit e 4 muaj burgim. Edhe në rastin e saj është vendosur pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe kalimi në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj. Çoku duhet të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, si dhe ndalimin e kontakteve me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve. Vendimi për tre të pandehurit është pjesë e fraksionit të veçuar të dosjes Meta-Kryemadhi, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon veçmas në Gjykatën e Posaçme.

VENDOS:
1.Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Piro Xhixho për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, pasi nuk provohet që e ka kryer këtë vepër penale, sipas parashikimit të nenit 388, pika 1, gërma “d” të K.Pr.Penale.
•Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 130, datë 23.10.2024, ndaj të pandehurit Piro Xhixho.

2.Deklarimin fajtor të pandehurës Fatime Kryemadhi për kryerjen veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 7 (shtatë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burrgim.
•Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 5 (pesë) vjet burgim.
•Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Fatime Kryemadhi në provë, me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
•Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Fatime Kryemadhi të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.

3.Deklarimin fajtor të pandehurës Ema Çoku për kryerjen veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
•Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
•Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Ema Çoku në provë, me kusht që brenda 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
•Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024, ndaj të pandehurës Ema Çoku.
•Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Ema Çoku të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.

4.Në aplikim të nenit 190 dhe 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 36 paragrafi i 1 pikat “b” dhe “ç” dhe 36 paragrafi i 2-të i Kodit Penal, rrëzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme nr. 118/81- ND 15, volumi 65, faqe 42, zona kadastrale nr. 3292, Selitë, Tiranë, ndërtesë me sipërfaqe kati përdhe 152 m2 nga të cilat 82 m2 banesë dhe verandë 70 m2, sipërfaqe kati nëntokë 139 m2, sipërfaqe kati i parë 79 m2, sipërfaqe e katit të dytë 51 m2, sipërfaqe verande kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të Fatime Kryemadhit, me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”, Rr. “Jaseminëve”, Vila nr. 163.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb