Protesta kombëtare e 28 nëntorit është kthyer në mollë sherri në Kuvend, ku kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është përfshirë në një debat të ashpër me deputetin socialist Ulsi Manja.

Përplasja mes tyre ka degjeneruar në akuza personale, duke përfshirë pasurinë, shitjen e një vile dhe transaksionet me kriptovaluta.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj ka kritikuar mazhorancën, duke iu kujtuar socialistëve protestat e zhvilluara prej muajsh nga studentët, të rinjtë dhe qytetarët kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Ai ka përmendur gjithashtu protestën mbarëkombëtare të 28 nëntorit, për të cilën grupimet studentore dhe qytetarët po bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në Tiranë.

Por përgjigjja e deputetit socialist Ulsi Manja ka ardhur me akuza ndaj kreut të Mundësisë. Manja ka ngritur pikëpyetje mbi pasurinë e Shehajt, transaksionet e tij në pasuri të paluajtshme dhe aktivitetin në tregun e kriptovalutave.

Socialisti i ka bërë thirrje që këto çështje t’i sqarojë gjatë protestës së 28 nëntorit, duke pretenduar se Shehaj ka përfituar 13 milionë euro nga shitja e një vile.

“Protestuesit kanë mundësinë më datë 28 të pyesin Shehajn si është historia që bleu dhe shiti vilën dhe fitoi 13 milionë euro. A ke blerë dhe ke shitur kriptovaluta? Sepse, me sa më thonë, nuk ke konkurrent në këtë fushë. Këto shpjego më datë 28. Kur ke ardhur si deputet për herë të parë, as shqip nuk dije, o Goni, e ke mësuar duke mashtruar”, deklaroi Manja.

Në mbrojtje të Shehajt ka dalë deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili i është kundërpërgjigjur Manjës duke përmendur komunikimet e tij me persona të lidhur me krimin e organizuar.

“Kur flet Ulsiu që është kapur duke folur me mafiozë… Shprehja e parisë së Dibrës ka qenë: Në të mallkoftë njeri, kurrë mos përfundofsh si Ulsi. Ju nuk dini çfarë thoni, o Ulsi”, u shpreh Kapri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb