Irani ka mohuar kategorikisht përfshirjen në sulmin me dronë ndaj një objekti ushtarak në Kuvajt, ku humbën jetën dy shtetas italianë, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Autoritetet kuvajtiane dhe italiane deklaruan se viktimat humbën jetën nga fragmentet e dronëve, pasi këta të fundit u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit njoftoi se objektivi i sulmit ishte një objekt me rëndësi jetike, pa bërë publike vendndodhjen e tij.
Gjenerali Abolfazl Shekarchi, zëdhënës i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit, hodhi poshtë akuzat e Kuvajtit, duke deklaruar se forcat iraniane nuk kishin ndërmarrë asnjë operacion ushtarak në rajon.
Ai drejtoi gishtin nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke ngritur dyshime për një operacion të inskenuar, që synon të justifikojë vazhdimin e veprimeve ushtarake dhe të destabilizojë më tej Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të veçantë, ambasada iraniane në Romë mohoi gjithashtu çdo përgjegjësi të Teheranit për vdekjen e dy shtetasve italianë, ndërsa paralajmëroi kundër përpjekjeve për zgjerimin e konfliktit në rajon.
Ndërkohë, analisti iranian i çështjeve ndërkombëtare, Seyed Mohammad Marandi, ka hedhur një tjetër version mbi autorësinë e sulmit, duke ngritur dyshime për përfshirjen e Ukrainës.
Në një postim në platformën X, Marandi deklaroi se në Iran ekziston bindja se sulmi në Kuvajt mund të ketë qenë një operacion me “flamur të rremë”, i kryer nga ukrainasit për t’ia faturuar përgjegjësinë Teheranit.
Sipas tij, agjentët ukrainas janë aktivë në disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Irakun verior dhe Sirinë. Ai argumentoi se Kievi kërkon t’i demonstrojë presidentit amerikan Donald Trump aftësitë e tij operacionale edhe jashtë territorit ukrainas.
Akuzat për përfshirjen e Ukrainës nuk janë shoqëruar me prova në materialin e publikuar.
Incidenti në Kuvajt, që ka përfshirë tashmë edhe Italinë në përplasjen diplomatike, rrezikon të shtojë tensionet në Gjirin Persik, ndërsa autorësia e sulmit mbetet objekt i deklaratave kontradiktore mes palëve.
