Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë akuza të forta ndaj qeverisë dhe Partisë Socialiste, duke e cilësuar pushtetin aktual si një “kartel” që, sipas tij, ka marrë peng shtetin.

Në një intervistë në emisionin “Prime News24” në News24, Lapaj foli për situatën politike në vend, përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe protestën që po zhvillon lëvizja e tij.

Ai kritikoi deputetët e mazhorancës, duke pretenduar se ata nuk kanë guxim të shprehin mendimet e tyre dhe se presin të shohin se kush do të jetë personi i radhës që do të flasë.

Ai iu referua edhe rezultatit të zgjedhjeve të fundit, duke pretenduar se Partia Socialiste ka pësuar një humbje prej 17 për qind dhe se kjo përbën, sipas tij, një çarje të madhe brenda strukturave të saj.

Lapaj u bëri thirrje socialistëve që nuk pajtohen me drejtimin aktual të partisë dhe të qeverisë që të bashkohen në kundërshtimin e asaj që ai e cilësoi si kapje të shtetit nga një kartel.

Gjatë intervistës, kreu i “Shqipëria Bëhet” njoftoi se lëvizja e tij do të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 107 mijë firma qytetarësh, me synimin për të promovuar demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Është kartel, është një kartel që komandohet nga ata që i bëjnë votat. Deputetë të republikës të gjithë memecë, nuk flasin dot. Presin kush është i radhës. PS ka një humbje prej 17 % të zgjedhjeve të fundit dhe kjo është një çarje e madhe e digës. Çdo socialist që nuk është dakord me shefen apo Edi Ramën, të rrijë këtu. Këtu ç’donjeri duhet të dalë kundër marrjes së shtetit peng nga karteli. Duhet ta pastrojnë këtë plagë që është agravuar shumë. Duhet ndalur karteli që ka marrë peng vendin, për 6 muaj le ta rrëzojnë qeverinë e radhës… Një deputet dhe nuk guxon të thotë një mendim, imagjinoni një njeri në administratë. Ne kemi 12 muaj që jemi në shesh, çdo ditë angazhim. Nesër dorëzojmë në KQZ 107 mijë firma qytetarësh…për të kthyer një demokraci të drejtpërdrejtë si model dhe të gjithë duhet të angazhohemi në këtë drejtim. Vjen vërdallë një komb sepse disa hajdutë kanë marrë peng vendim”, tha Lapaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb