Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Denizlit në Turqi, ku biznesmeni 49-vjeçar Feday Karagöz u gjet i vrarë në banesën e tij, pasi dyshohet se kishte kapur bashkëshorten me dy burra të tjerë.

Mediat turke raportojnë se viktima, i cili ishte ndërtues dhe pronar i një biznesi mermeri, ishte kthyer më herët nga një udhëtim pune dhe kishte gjetur në apartament gruan dhe dy burrat, me të cilët jetonin në të njëjtën ndërtesë. Pas përplasjes mes tyre, biznesmeni u gjet i pajetë në dhomën e ndenjes, në një pellg gjaku, me duart dhe këmbët të lidhura me litar.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 49-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e dhunës fizike dhe mbytjes. Policia mbërriti në banesë pas njoftimit të fqinjëve për një sherr dhe gjeti dy burrat e dyshuar, të cilët fillimisht tentuan të fshiheshin në një dhomë tjetër. Në kuadër të hetimeve u arrestuan bashkëshortja e viktimës dhe dy burrat me inicialet A.D dhe M.K.

Arrestimi shkaktoi tensione, pasi të afërmit e biznesmenit tentuan të sulmonin njërin prej të dyshuarve, por ndërhyrja e policisë parandaloi përshkallëzimin e situatës.

Ndërkohë, autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit për të zbardhur lëvizjet e të dyshuarve para dhe pas krimit.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë të vrasjes dhe rolin që ka pasur secili prej tre personave të arrestuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: