Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbrojtur vazhdimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën, duke paralajmëruar se ndërprerja e ndihmës për Kievin do të sillte pasoja të rënda për sigurinë e kontinentit. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur në Francë po shtohen kritikat ndaj mbështetjes për Ukrainën, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, ka deklaruar se në rast se fiton zgjedhjet, do t’i japë fund të gjithë ndihmës franceze për Kievin.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Macron theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian është më e rëndësishme se kurrë, veçanërisht për shkak të mundësisë së tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga mbështetja për Ukrainën.
“Ndihma e Bashkimit Evropian është thelbësore, veçanërisht duke pasur parasysh mundësinë e një tërheqjeje të SHBA-së. Kjo është një luftë që na prek drejtpërdrejt. Ukrainasit po luftojnë për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre, por ata janë gjithashtu në vijën e parë të mbrojtjes së sigurisë evropiane”, deklaroi presidenti francez.
Macron nënvizoi se lufta në Ukrainë nuk është vetëm një konflikt mes dy vendeve, por përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për të gjithë Evropën. Ai paralajmëroi se braktisja e Kievit do të cenonte sigurinë e kontinentit në vitet e ardhshme.
“Mjafton të shohësh hartën dhe të marrësh parasysh historinë për ta kuptuar këtë. Po, kjo luftë është ekzistenciale për sigurinë evropiane. Braktisja e Ukrainës do të rrezikonte sigurinë tonë në afat të shkurtër dhe të mesëm”, u shpreh Macron.
Kreu i Elizesë kritikoi gjithashtu aktivitetet hibride të Rusisë në vendet evropiane, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të përballet me këto kërcënime pa iluzione dhe me përgjegjësi.
“Nuk ka vend për naivitet. Ne po e ndihmojmë Ukrainën nga ndjenja e përgjegjësisë dhe sepse kjo është në interesin tonë”, përfundoi Macron.
