Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e disa reformave në Shqipëri, gjatë samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Kos deklaroi se Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të kërkuara dhe, si rezultat, do të përfitojë 185.6 milionë euro në kuadër të pagesës së katërt të këtij plani.

Ajo vlerësoi progresin e Malit të Zi, i cili ka përmbushur 94% të reformave, ndërsa Maqedonia e Veriut tha se ka realizuar 56% dhe pritet të përfitojë 70.9 milionë euro.

Marta Kos theksoi se fondet do të shpërndahen në bazë të performancës së vendeve dhe zbatimit të reformave.

“Plani i Rritjes është hartuar për të ndihmuar ekonomikisht vendet e rajonit. Tre shtete kanë bërë përparim të mirë në reforma. Mali i Zi ka vënë në zbatim 94% të tyre, që është mbresëlënëse. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro”, deklaroi Kos.

Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi vendet për rezultatet e arritura, duke theksuar se këto përfitime janë meritë e reformave të ndërmarra.

Ajo u ndal edhe te situata në vendet e tjera të rajonit, duke përmendur Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas saj, qeveria e mëparshme serbe nuk kishte përfituar mbështetje për shkak të qasjes së saj, ndërsa me qeverinë e re kanë nisur bisedimet.

Sa i përket Kosovës, Kos tha se qeveria e re ka mundësinë të realizojë reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian, ndërsa njoftoi se do të vizitojë Prishtinën.

“Qeveria e re në Kosovë ka mundësinë të arrijë reformat që dëshiron Bashkimi Europian. Do të jem në Prishtinë dhe mezi pres këtë vizitë. Edhe Bosnjë-Hercegovina duhet të zbatojë reforma të rëndësishme”, u shpreh komisionerja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb