Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale për riparimin e tendinit të Akilit, të cilin e dëmtoi në fillim të nëntorit gjatë një ndeshjeje miqësore futbolli me gazetarët që mbulojnë aktivitetet e bashkisë.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i tij, Joe Calvello, i cili bëri të ditur se operacioni u krye të premten dhe se kryebashkiaku pritet të rikuperohet plotësisht. Pas ndërhyrjes, 35-vjeçari është larguar nga spitali dhe po rikuperohet në rezidencën e tij zyrtare, Gracie Mansion.

Mamdani kishte zbuluar dëmtimin më 20 nëntor, kur u shfaq në një konferencë për shtyp me paterica dhe një çizme ortopedike. Ai tregoi se ishte dëmtuar gjatë një ndeshjeje futbolli me gazetarët, të cilëve u kishte kërkuar fillimisht që aktiviteti të mos bëhej publik.

“Shënova një gol pak pasi hyra në fushë dhe harrova se isha 35 vjeç. Pak më pas, këputa tendinin e Akilit”, kishte deklaruar ai, duke ia atribuar dëmtimin mungesës së përgatitjes fizike dhe nxehjes përpara ndeshjes.

Megjithatë, Mamdani nuk kishte ngurruar të theksonte fitoren 10-5 të skuadrës së tij. Një gazetar që kishte ndjekur ndeshjen tregoi se kryebashkiaku ishte rrëzuar vetë, pa pasur kontakt me ndonjë kundërshtar.

Ndërhyrja kirurgjikale u krye nën anestezi të përgjithshme, ndërsa bashkia nuk bëri publik emrin e spitalit për arsye të konfidencialitetit mjekësor.

Pavarësisht dëmtimit, Mamdani kishte vijuar të merrte pjesë në aktivitete zyrtare, evente kulturore dhe shpërndarjen e gjelave të detit për festën e Falënderimeve. Në konferencat e gjata për shtyp ai kishte përdorur edhe një stol për të lehtësuar qëndrimin.

Kryebashkiaku kishte pranuar gjithashtu se ndihej në ankth për ndërhyrjen kirurgjikale, pasi ishte hera e parë që i nënshtrohej një operacioni.

Sipas planit të rikuperimit, ai do të qëndrojë në shtrat për disa ditë dhe nuk do të marrë pjesë në aktivitetet e fundjavës, përfshirë Paradën tradicionale të Ditës së Falënderimeve të organizuar nga Macy’s. Kthimi i tij në punë është planifikuar për të hënën, më 30 nëntor.

Gjatë kohës që Mamdani ndodhej në spital të premten, detyrat e kryebashkiakut u morën përkohësisht nga nënkryetari i parë i bashkisë, Dean Fuleihan. Në rast se ai nuk mund të ushtrojë funksionet, sipas Kartës së Qytetit të Nju Jorkut, parashikohet një rend i përcaktuar zëvendësimi, ku pas Fuleihan vjen Julia Kerson, nënkryetare përgjegjëse për shërbimet komunale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb