Frikësimi, persekutimi dhe përgjimi. Në shumë pjesë të botës, besimtarët janë të ekspozuar ndaj presionit, madje edhe në mërgim.
Qeveria gjermane ka paralajmëruar për një përkeqësim të ndjeshëm të lirisë së fesë dhe besimit në mbarë botën, duke nënvizuar veçanërisht shtypjen e komuniteteve fetare në Kinë, Rusi dhe Nikaragua.
Raporti përmban më shumë se 150 faqe dhe përfundimi i tij është i qartë: gjendja e lirisë së fesë dhe e botëkuptimit në botë është përkeqësuar gjatë periudhës 2023-2025. Kështu u shpreh Thomas Rachel, i ngarkuari i Qeverisë gjermane për lirinë fetare dhe të besimit, si dhe deputet i CDU-së në Bundestag.
Ky është raporti i katërt i qeverisë gjermane për lirinë e fesë dhe botëkuptimit në botë, pas atyre të publikuara në vitet 2016, 2020 dhe 2023. Raporti evidenton presionin në rritje ndaj kësaj të drejte themelore, duke analizuar pozitën e personave me bindje fetare, por edhe të atyre që nuk i përkasin asnjë feje.
Duke folur për rëndësinë e lirisë fetare, Rachel theksoi: “Feja dhe besimi kanë rëndësi të madhe dhe përbëjnë një pjesë të identitetit të katër nga pesë njerëz në botë. Njerëzit zgjohen me Zotin dhe flenë me Zotin. Kjo është pjesë e jetës së tyre të përditshme.”
Sipas një studimi të Qendrës Amerikane Kërkimore Pew, rreth 84 përqind e popullsisë së botës identifikohet me një fe.
Regjimet autoritare rrisin presionin ndaj komuniteteve fetare
Në një kohë kur sistemet autoritare po forcohen, raporti paraqet një tablo shqetësuese. Sipas tij, rritja e konflikteve të dhunshme, konsolidimi i regjimeve autoritare dhe përhapja e populizmit po çojnë në kufizime gjithnjë e më të mëdha të lirisë së fesë dhe besimit në nivel global.
Raporti nuk fokusohet te statistikat e persekutimit, por identifikon 30 vende ku kjo liri kufizohet seriozisht. Në Evropë përmenden Bjellorusia, Rusia, Ukraina dhe Turqia. Nga Amerika Latine veçohen Meksika, Nikaragua dhe Kuba. Probleme evidentohen gjithashtu në pesë nga gjashtë vendet më të populluara në botë: India, Kina, Indonezia, Pakistani dhe Nigeria.
Për Indinë, raporti flet për përpjekje të nacionalizmit hindu që rrezikojnë barazinë ndërmjet feve. Sipas dokumentit, tensionet dhe rastet e dhunës kanë zbehur bashkëjetesën kryesisht paqësore ndërmjet komuniteteve fetare. Myslimanët dhe të krishterët raportojnë rritje të intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes, ndërsa grupet radikale hindu akuzohen për sulme të shumta fizike ndaj myslimanëve. Raporti vlerëson se policia dhe autoritetet shpesh nuk reagojnë në mënyrë adekuate.
Kina, Nikaragua dhe Rusia në qendër të kritikave
Për Kinën, qeveria gjermane konstaton një “shtrëngim të konsiderueshëm të kuadrit ligjor të kontrollit”, në dëm të lirisë së fesë dhe besimit. Kjo prek veçanërisht ujgurët, tibetianët dhe kishat e paregjistruara, ndaj të cilave autoritetet ndërmarrin masa të ashpra.
Ligji për “promovimin e unitetit dhe përparimit etnik”, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2026, e vë fenë në shërbim të “ndërtimit të identitetit kombëtar” dhe edukimit patriotik.
Një nga rastet më të rënda të përkeqësimit tëlirisë fetare është Nikaragua. Që nga viti 2018, represioni është përqendruar veçanërisht ndaj Kishës Katolike. Kërcënimet, persekutimet, burgosjet dhe dëbimet kanë detyruar rreth 130 priftërinj, murgesha dhe anëtarë të tjerë të klerit të largohen nga vendi. Disa peshkopë jetojnë aktualisht në mërgim.
Një kritikë e ashpër i drejtohet edhe Patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse, Kirill. Raporti thekson se nën drejtimin e tij, Kisha Ortodokse Ruse mbështet luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe e paraqet atë si një “luftë të shenjtë”.
“Armët bekohen, ushtarëve rusë u premtohet falja e mëkateve dhe mblidhen donacione për luftën”, thuhet në raport. Ky konsiderohet një nga shembujt më domethënës se si feja mund të përdoret si mjet shtypjeje dhe dhune.
Shtypja transnacionale, një kërcënim në rritje
Raporti i kushton vëmendje të veçantë fenomenit të ashtuquajtur “shtypje transnacionale” (TNR), të cilin e përshkruan si një problem në rritje në mbarë botën, përfshirë edhe Gjermaninë.
Ky fenomen përfshin persekutimin ose frikësimin e njerëzve nga shtetet e tyre të origjinës edhe jashtë kufijve kombëtarë. Format e tij variojnë nga sulmet fizike, te kërcënimet, shpifjet dhe presionet në internet, si dhe kërcënimet ndaj familjarëve që jetojnë në vendin e origjinës.
Sipas raportit, Rusia dhe Irani janë ndër aktorët kryesorë të shtypjes transnacionale në Gjermani.
Në këtë kontekst përmendet edhe Kina, e cila synon kryesisht grupet që Partia Komuniste i konsideron armiqësore ndaj sistemit, si ujgurët, tibetianët dhe anëtarët e lëvizjes Falun Gong. Raporti thekson se këto grupe përballen me mbikëqyrje dhe presion edhe në Gjermani, ndërsa familjarët e tyre në Kinë shpesh u nënshtrohen presioneve shtesë.
Feja rikthehet në fokusin e politikës së jashtme gjermane
Thomas Rachel shpreson që raporti i sapopublikuar të diskutohet gjerësisht në komisionet e Bundestagut dhe të nxisë një angazhim më të madh politik për këtë çështje.
Ndryshimet politike të qeverisë aktuale kanë sjellë edhe një ripozicionim institucional të temës së lirisë fetare. Rachel tashmë vepron në kuadër të Ministrisë së Jashtme, ndërsa paraardhësit e tij ishin të vendosur në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Sipas tij, feja po fiton sërish rëndësi në politikën e jashtme gjermane, duke përfshirë edhe trajnimin e diplomatëve. Qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka ndryshuar qasjen e koalicionit të mëparshëm të drejtuar nga Olaf Scholz, i cili kishte zvogëluar peshën institucionale të kësaj teme.
Një tregues i këtij ndryshimi është edhe angazhimi më i madh diplomatik me Selinë e Shenjtë. Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, ka vizituar Vatikanin më shpesh sesa dy paraardhësit e tij, Heiko Maas dhe Annalena Baerbock, së bashku. Ministria e Jashtme gjermane disponon gjithashtu një departament të posaçëm për çështjet fetare dhe politikën e jashtme, i drejtuar nga një ambasador i posaçëm./DW
