Një praktikë e veçantë në një spital në Barcelonë po ndihmon pacientët e shtruar në kujdes intensiv të përballojnë më mirë periudhën e vështirë të trajtimit. Mjekët dhe infermierët i nxjerrin ata nga repartet për një shëtitje buzë detit, në plazhin që ndodhet përballë spitalit, duke u dhënë mundësinë të largohen për pak çaste nga rutina spitalore dhe të rikthejnë shpresën për jetën jashtë tij.

Bëhet fjalë për Spitalin Del Mar, i cili ndodhet pranë bregdetit në Barcelonë. Kjo nismë nisi gjatë pandemisë së COVID-19 dhe, sipas stafit mjekësor, ka pasur ndikim të dukshëm te pacientët.

“Është një nga strategjitë që përdorim për të humanizuar Njësinë e Kujdesit Intensiv dhe për të reduktuar stresin post-traumatik që lidhet me qëndrimin në të”, deklaroi për *The Washington Post* Dr. Purificación Pérez-Terán, drejtuese e Njësisë së Kujdesit Intensiv në këtë spital.

Ajo shtoi se reagimi i pacientëve është shpërblyes: “Të shohësh fytyrat e tyre është gjëja më e mirë”.

Sipas mjekëve, përfitimet nuk janë vetëm emocionale. Pas shëtitjeve në plazh, pacientët shfaqin përmirësim të humorit dhe ndryshime pozitive në gjendjen e tyre fizike.

“Pacientët që ishin të depresionuar dhe nuk bashkëpunonin, dalin për një shëtitje buzë detit dhe javën tjetër janë krejtësisht ndryshe. Janë më të lumtur dhe më bashkëpunues. Është një ndryshim rrënjësor”, shpjegoi Pérez-Terán.

Për ata që nuk kanë mundësi të dalin fizikisht nga spitali, stafi ka gjetur një alternativë përmes pajisjeve të realitetit virtual, të cilat u mundësojnë të përjetojnë një eksperiencë të ngjashme.

“Efektet e realitetit virtual dhe të një vizite në plazh janë të njëjta. Krahasuar me pacientët që nuk bëjnë asgjë, ne përpiqemi të vërejmë një ndryshim vërtet pozitiv në nivelin e ankthit dhe mirëqenien e tyre”, përfundoi mjekja.

Kjo nismë synon ta bëjë më njerëzor qëndrimin në kujdes intensiv dhe t’u kujtojë pacientëve se përtej mureve të spitalit i pret sërish jeta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb