Rreth 2 mijë forca policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Masat e sigurisë janë shtuar në disa pika të kryeqytetit, ku janë ngritur postoblloqe në kryqëzime dhe në hyrje-daljet e qytetit.

Efektivët po kryejnë kontrolle ndaj automjeteve që hyjnë në Tiranë, ndërsa disa qytetarë kanë denoncuar kontrolle nga ana e policisë, duke pretenduar se u janë kontrolluar edhe automjetet dhe sendet personale, megjithëse, sipas tyre, kishin me vete vetëm flamuj kuqezi.

Ndërkohë, pranë godinës së Kryeministrisë janë pozicionuar autobotë me ujë, si pjesë e masave të marra nga Policia e Shtetit.

Grupe të posaçme të forcave të policisë janë vendosur gjithashtu pranë selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Brendshme dhe në zonën e Bllokut të Ministrive.

Masat e shtuara vijnë në kuadër të protestës kombëtare të thirrur për 28 Nëntorin, ku pritet të marrin pjesë qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb