Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mesazhin e saj, Shiroka-Pula e ka cilësuar këtë datë si një moment të veçantë për historinë, krenarinë dhe identitetin kombëtar, duke rikujtuar aktin historik të 28 nëntorit 1912 në Vlorë, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur.

Ajo ka vlerësuar përpjekjet dhe sakrificat e brezave që luftuan për lirinë e atdheut, ndërsa ka theksuar se flamuri kombëtar mbetet simbol i bashkimit të shqiptarëve kudo që jetojnë, përtej kufijve shtetërorë.

“Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët. Ai na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë”, është shprehur presidentja.

Në vijim të urimit, Shiroka-Pula ka shprehur nderimin për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë, duke vënë theksin te përgjegjësia për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.

“Krenari për flamurin që na bashkon. Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë. Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”, përfundon mesazhi i presidentes së Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb