Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Kalimashit, pranë tunelit, si dhe në disa segmente të Rrugës së Kombit, për shkak të uljes së temperaturave në qarkun e Kukësit.
Reshjet kanë vënë në lëvizje kompaninë e mirëmbajtjes së rrugës, e cila ka nisur menjëherë punën për pastrimin e borës me mjetet borëpastruese.
Ndërhyrja është kryer edhe për shkak të lagështisë në rrugë, pas reshjeve të shiut që kanë rënë disa orë më parë.
Deri në këto momente nuk raportohen probleme apo pengesa në qarkullimin e automjeteve, i cili vijon normalisht.
Megjithatë, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në Rrugën e Kombit këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të pajisen me goma dimërore dhe të mbajnë me vete zinxhirët, për shkak të kushteve atmosferike.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në zonat e larta malore, në lartësitë mbi 700 metra.
