Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, duke pretenduar se mbi 21 protestues kanë përfunduar në spital si pasojë e ndërhyrjes së Policisë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve, gazetarëve dhe operatorëve mediatikë. Ai pretendoi se gjatë ndërhyrjes janë përdorur shkopinj gome, gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji.

Sipas Berishës, mes personave të goditur kanë qenë edhe gazetarë, intelektualë dhe qytetarë që, sipas tij, nuk po kryenin akte dhune.

Kreu i PD-së përmendi edhe rastin e një kamerieri pranë zonës së Operas, për të cilin tha se ishte plagosur rëndë nga një plumb gome.

Berisha e cilësoi protestën si një përballje të rëndësishme politike dhe shprehu mirënjohjen për qytetarët që morën pjesë, veçanërisht për shqiptarët e Diasporës që udhëtuan nga jashtë vendit për t’iu bashkuar tubimit.

Ai paralajmëroi vijimin e protestave dhe u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të marrin pjesë në tubimet e ardhshme.

“Vendi ynë, vendi i çdo demokrati e demokrateje është në çdo protestë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij. Ndaj dhe i ftoj me vendosmëri, durim, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, kreu i opozitës përsëriti qëndrimin e tij se protesta është rruga për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

“Protesta dhe vetëm protesta, rruga e vetme për të larguar Edi Ramën nga pushteti”, përfundoi Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb