Një ngjarje e rëndë dhune në familje është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Divjakës, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka goditur disa herë me mjet prerës bashkëshorten e tij 39-vjeçare.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00. Pas një konflikti në banesë, Leonard Vrapi, 45 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me mjet prerës bashkëshorten e tij, Manjola Vrapi, 39 vjeçe.
E plagosura është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar.
Sipas të dhënave paraprake nga burime prej policisë Fier, 45-vjeçari dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e konfliktit. Ai kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli dhe, prej një periudhe kohe, dyshohet se kishte shfaqur xhelozi ndaj bashkëshortes, duke ngritur pretendime për tradhti bashkëshortore. Këto dyshime mendohet se kanë qenë ndër shkaqet e konflikteve të vazhdueshme mes çiftit.
Ditën e sotme, pas konsumimit të alkoolit, ai është kthyer në banesë, ku pas një debati me bashkëshorten dyshohet se e ka goditur disa herë me mjet prerës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë Leonard Vrapin në Komisariatin e Divjakës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar motivet e plota të saj.
Njoftimi i policisë
Divjakë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në Divjakë, shtetasi L. V., 45 vjeç, dyshohet se, pas një konflikti me bashkëshorten e tij, shtetasen M. V., 39 vjeçe, e ka goditur këtë të fundit me mjet prerës.
39-vjeçarja është transportuar për ndihmë mjekësore të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë 45-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
