NGA: VALENTINA MADANI*
Bujar Kapexhiu, që ka jetuar 50 vite më karikaturën, e ka seriozisht kur thotë në ditët e sotme, pushtet u duhet dhënë ekonomistëve dhe juristëve. Sipas tij, ka ikur koha e doktorëve dhe piktorëve dhe është koha e ekonomistëve dhe juristëve. Një ndër ta është Sherefedin Shehu, për të cilin z.Kapexhiu thotë se dibranët duhet t’i besojnë postin e kryebashkiakut. Për “Gazeta Shqiptare”, humoristi i njohur shprehet se nuk ka bindje politike dhe se miqtë e tij janë të shumtë si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Por, e ka bindje të tij se drejtimi u duhet besuar ekonomistëve… Në Dibër promovoi librin “Kthe-së”, ku ka portretizuar në kopertinë pikërisht dy protagonistët kryesorë të politikës, Sali Berishën dhe Edi Ramën. Por, gjatë këtij aktiviteti kulturor në vendin e origjinës, Bujar Kapexhiu u gjend në krah të politikanit të djathtë dhe kandidatit të tyre për Bashkinë e Peshkopisë. Z.Ka-pexhiu tregon arsyet se pse kërkoi votat e dibranëve për Sherefedin Shehun e PD-së.
Z.Kapexhiu pse po mbështetni kandidatin e PD-së në Dibër, z.Sheferdin Shehu dhe çfarë ju lidh ju me PD-në?
Nuk është se po e mbështes atë apo kandidatin tjetër. Ishte një koincidencë e imja atje dhe z.Shehu iu përgjigj ftesës sime.
Cilës ftesë?
Unë jam dibran me origjinë dhe po promovoja librin tim “Kthesë”. Doja ta promovoja edhe në vendin tim të origjinës dhe një ftesë ishte edhe për z.Sherefedin Shehu, i cili iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe erdhi në promovim.
Kishte ftesë kandidati i PS-së, z.Muharrem Rama?
Nuk mund të them se kishte, pasi ftesat i kanë bërë organizatorët e shoqatës “Dibra”. Por, mund t’ju them se ishte një koincidencë.
Pavarësisht kësaj që thoni, ju vlerësuat figurën e z.Shehu dhe i ftuat dibranët që ta votojnë atë dhe këtë e bëtë në prani të kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish-deputetit Besnik Mustafaj…
Po, është e vërtetë kjo që thoni, sepse është bindje e imja se sot duhet të drejtojnë dhe të udhëheqin ekonomistët dhe juristët dhe jo doktorët dhe piktorët. 26 vite më parë të gjithë u ngritëm për të rrëzuar diktaturën komuniste dhe në krye të vendit u vunë doktorë apo njerëz me profesione të tjera. Morën postet sipas meritave, merita duhet të jetë sipas profesionit. Ajo kohë ishte ndryshe dhe ata njerëz kishin merita për aty ku u vunë, kurse sot është ndryshe. Është në bindjen time se profesioni duhet të ketë vlerë dhe ekonomistët dhe juristët duhet ta drejtojnë këtë vend. Iku koha kur drejtonin doktorët dhe artistët, ata kishin meritat e tyre, por sot është koha e profesioneve dhe u duhet besuar atyre drejtimi i vendit. Merita duhet të jetë sipas profesionit, ndaj dhe bëra thirrje që dibranët të votonin për z.Sherefedin Shehu.
Kur thoni nuk është koha e doktorëve dhe artistëve, e keni fjalën për Sali Berishën dhe Edi Ramën?
Po, e kam fjalën për doktor Berishën dhe për artistin Rama. Të dy duhet të ikin në shtëpi. Unë i njoh të dy dhe i kam miq, por duhet t’u lënë vendin ekonomistëve dhe juristëve në këtë vend. Me doktorin jemi dhe moshatarë dhe kam njohje të hershme që në kohën e rrëzimit të diktaturës dhe e vlerësoj si njeri dhe meritat që ka pasur në rrëzimin e diktaturës, por ka ikur ajo kohë. Edhe me z.Rama kam njohje të hershme që në Liceun Artistik. Kemi qenë kolegë dhe ka pasur një baba të jashtëzakonshëm. Z.Rama ka një penë të mrekullueshme, është i talentuar si artist, por vendit nuk i duhen më artistët dhe doktorët, i duhen juristët dhe ekonomistët si Sherefedin Shehu.
Keni njohje me kandidatin e PD-së?
Po, e njoh. Më të jam takuar disa herë në Tiranë dhe ruaj miqësitë me të, plus që e vlerësoj si njeri dhe si profesionist.
Po kandidatin e PS-së, z.Muharrem Rama, e njihni?
Jo, nuk e njoh. Kam dëgjuar fjalë të mira për të, por mendoj se si doktor që është, më shumë u vjen në ndihmë dibranëve duke ushtruar profesionin e tij si doktor sesa si kryebashkiak. Ai është humanist dhe duhet të jetë në shërbim të dibranëve si i tillë dhe nuk mund të jetë si kryebashkiak i tyre.
Pra, nëse do të ishit votues në Dibër, ju do të votonit Sherefedin Shehun?
Patjetër që do ta votoja. Në pamundësi, u bëra thirrje dibranëve që të votojnë ekonomistin. Unë u fola qartë atyre atje dhe si artist më takon, për ata që janë miqtë të mi, shokë të mitë të të njëjtit mendim, t’ju kërkoj ndjesë që ne artistët i kemi sjellë në këtë derexhe. Nuk duhet të gabojnë më, sidomos dibranët e mençur. Sot në vendet udhëheqëse neve artistëve na lini aty të kontribuojmë për artin, për kulturën. Por, u thashë atyre se duhet të vendosin që në këto vende duhet të jenë njerëz tamam të profesionistë, që të shikojnë tamam ekonominë, që të shikojnë perspektivën, duhen juristë dhe ekonomistë. U thashë mos u ngatërroni me të tjerë, se do të na merrni prapë në qafë.
Z.Shehu po e mbështet edhe ish-themeluesi i PD-së, Besnik Mustafaj, me të cilin ju pamë së bashku në aktivitetin e shoqatës “Bashkësia Dibrane” në Peshkopi…
Takimi me të ishte interesant. Z.Mustafaj është një nga nismëtarët e rrëzimit të diktaturës dhe ndjehem i kë-naqur që ai u rikthye sërish në politikën e djathtë. Gjëja e bukur që tha ishte se vazhdon të jetë në Partinë Demokratike. Z.Mustafaj nuk është politikan që ndërron flamujt. Pavarësisht rezervave të tij, apo heshtjes, ai asnjëherë nuk është larguar nga PD-ja dhe nuk e ka ndërruar flamurin e saj. Nuk është si politikanët e tjerë që mund t’i quaj si shkopinj që mbi shkopin e tyre vendosin çfarë do lloj flamuri. Ai nuk është i tillë, por vazhdon të jetë sërish pjesë e PD-së. Ndaj, Besnik Mustafaj veçse u rikthye, ndoshta në vijën e dytë apo të tretë, por unë do të doja që ai të ishte diku në vijën e parë të PD-së, sepse e meriton.
Ju në mënyrë të vazhdueshme bëni humor me politikanë të ndryshëm përmes karikaturës. A ka shprehur ndonjëri pakënaqësi ndaj jush?
Në përgjithësi jo, sepse ata e kuptojnë që unë bëj vepër arti dhe nuk u mbetet qejfi. Unë i bëj vërejtjet e mia për diçka që mua nuk më pëlqen tek ata, për një koncept të tyre, që nuk është në dobi të shoqërisë. Unë nuk e fyej politikanin që e kam objekt të karikaturës, as nuk e godas, por thjesht punoj në bazë të mendimit tim. Unë kam një shprehje timen: ‘Unë jam me të gjithë dhe kundër të gjithëve’. Në bazë të kësaj bëj edhe punën time. Madje, ajo që mund të them unë është se kur nuk u bëj karikaturë, ata mërziten sepse karikaturë është reklamë. Një karikaturë mund të jetë e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk bën asnjë karikaturë. Unë nuk u bëj karikaturë atyre që rrinë në hije. Për mua ata janë sezonalë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
