NGA DORIANA BEZAT*
Ndryshimet e nenit 170 të kodit rrugor i cili parashikon ashpërsim të gjobave për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe për pajisjet fiksuese për fëmijët nën 12 vjeç do të nisin të aplikohen në 10 shtator.
Policia kishte parashikuar që aplikimi i këtyre gjobave të niste që këtë të hënë, por për shkak të disa ngjarjeve dhe vijimit të fushatës sensibilizuese është vendosur të shtyhet për 5 ditë me qëllim informimin e drejtuesve të mjetit në lidhje me këto ndryshime.
Në rast se ky detyrim i parashikuar në Kodin Rrugor nuk përmbushet pas 10 shtatorit, drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen me gjobë, që me ndryshimet e fundit varijon nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja.
Nga vendosja e detyrueshme e rripit të sigurimit përjashtohen mjetet e transportit publik që lëvizin në zonat urbane dhe në mjetet ku lejohet qëndrimi i udhëtarëve edhe në këmbë. Këto ndryshime të kodit rrugor do të diskutohen gjerësisht në orën 20:00 në Emisionin “Njerëz në Fokus” në News 24.
(m.k/BalkanWeb)