Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka qetësuar sot qytetarët, nga të cilët ditët e fundit ka patur disa reagime për praninë e një grupi ushtarakësh rusë në Shqipëri.
Kodheli tha se ky grup ushtarakësh ndodhet në Shqipëri për një procedurë rutinë, veprimtari armëkontrolli, që rrjedh nga detyrimet si vend anëtar i OSBE-së. Kodheli siguroi se nuk transmetohet asnjë sekret ushtarak tek këto trupa.
“Rusia është anëtarë e organizatës së sigurisë së OSBE. Bazuar në veprimtarinë e përbashkët, kryejnë veprimtari të armëkontrollit. Është një aktivitet normal që e zhvillon edhe Shqipëria në vendet e BE-së, dhe normalisht priten edhe vendet e tjera anëtare të OSBE-së. Misioni i tyre mbaron në datë 30 shtator. Respektojmë detyrimet. Nuk ka të bëjë me FA-të, me NATO-n, nuk ka të bëjë me aktivitetin e mirëfilltë të NATO-s. Ka të bëjë me procedurat e armëkontrollit, procedurë rutinë për vendet e OSBE-së. Zonat janë të mirëpërcaktuara dhe merret leje. Asnjë sekret ushtarak nuk transmetohet tek personat përgjegjës. Personat përgjegjës merren vetëm me punën që është caktuar të bëjnë”, deklaroi Kodheli.
Ministrja e Mbrojtjes i bëri këto deklarata gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e Britanisë së Madhe, Micheal Fallon, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Join Effort”, që këtë herë organizohet për herë të parë nga vendi ynë.
Kodheli tha se ‘Britania është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë ndaj ne duam thellimin e bashkëpunimit’. “E para e këtij lloj bashkëpunimi, bazë e mirë e suksesshme për marrëdhëniet e mëtejshme mes dy vendeve”, tha ajo duke falënderuar ministrin e Britanisë së Madhe.
Nga ana e tij, Fallon tha se thellimi i bashkëpunimit është një prej arsyeve të vizitës së tij në Shqipëri.
“Ju falënderoj për mikpritjen në vendin tuaj dhe ndihem shumë i kënaqur për vizitën time në Shqipëri. Kjo vizitë vjen në një moment historik për vendin tuaj, zhvillimi i stërvitjes shumëkombëshe “Join Effort”. Arsyeja kryesore e vizitës sime është vëzhgimi i kësaj stërvitje. Pjesëmarrja e forcave ushtarake të Britanisë së Madhe në këtë stërvitje vjen për të theksuar angazhimin tonë në NATO pavarësisht daljes së vendit nga BE. Arsyeja e dytë e vizitës sime është për të kontribuuar për forcimin e bashkëpunimin mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Kemi biseduar për hapjen e institucionit të atasheut ushtarak britanik në Tiranë”, tha Fallon.
(m.k/BalkanWeb)
