Nga: Valentina Madani
Kreu i PD-së Lulzim Basha bën pjesë të ekipit të këshilltarëve të tij edhe italianin Roberto Caparrotta. Atij i ka besuar një detyrë të re, duke e emëruar këshilltar për sipërmarrjen. Z.Caparrota thotë për “BalkanWeb” se z.Basha gjatë kësaj zgjedhje është bazuar në impenjimin e tij konstant në PD dhe eksperiencën shumëvjeçare në biznes.
Z.Caparrotta si e vlerësoni besimin e kreut të PD-së si këshilltar për sipërmarrjen, mbi ç’baza besoni se është bërë zgjedhja juaj?
Sigurisht që është një vlerësim i madh për mua. Mendoj se është bazuar në impenjimin tim konstant në Partinë Demokratike dhe eksperiencën time shumëvjeçare në biznes.
Si e shikoni situatën ekonomike në vend dhe çfarë parashikon programi i PD-së për përmirësimin e saj?
Për shkak të taksave të larta, taksimit progresiv, kontrollit agresiv të institucioneve ndaj biznesit, rritjes së çmimeve në çdo sektor sollën pasoja negative për vetë ekonominë e këtij vendi. Kjo vihet re në uljen e numrit të eksporteve, uljen e konsumit, rritjen e papunësisë, për të mos folur për zhgënjimin e shumë investitorëve të huaj të cilët po largohen nga Shqipëria nëpër vende të tjera më të favorshme dhe të sigurta për investim. Biznesi nuk duhet sulmuar, por duhet mbështetur dhe ndihmuar edhe pse janë ato që hapin vende të reja pune, janë ato që ndërtojnë ekonominë e një vendi. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë në një kthesë pozitive. Për këtë arsye së bashku me z.Basha si dhe specialistët e departamentit ekonomik po prezantojmë një program ekonomik që parashikon uljen në mënyrë të ndjeshme të taksave, si dhe rifutjen e taksës së sheshtë 9%. Gjithashtu programi parashikon uljen e taksës mbi të ardhurat në 9%, t.v.sh 15%, subvencione për fermerët si dhe shumë facilitete të tjera të cilat lehtësojnë dhe mbështesin biznesin.
(ma.ar/BalkanWeb)
